Apostolova në njërën nga shkollat | Foto: KALLXO.com

Apostolova u flet nxënësve për investimet e BE-së në arsim

Shefja e zyrës së Bashkimit Europian, Natalia Apostolova së bashku me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi kanë mbajtur sot një ligjëratë para nxënësve të gjimnazit “ Sami Frashëri”, në kuadër të aktiviteteve që do bëhen për shënimin e Ditës së Europës.

Apostolova tha se është njëra nga ditët më të mira për të, sepse po vizitojnë disa klasa ku ambasadorët e BE-së do të takohen me nxënësit dhe do të japin idetë e tyre se si do të jetë perspektiva e BE-së.

Apostolova tregoi se kjo iniciativë do të quhet “Dita e Mësuesit të Bashkimit Europian”.

Sipas saj, arsimi në kuadër të kulturës është sektori më i rëndësishëm për Bashkimin Europian.

“Arsimi është njëra prej pjesëve më të rëndësishme të kulturës së BE-së, sepse arsimi është i dedikuar për të rinjtë dhe për gjeneratat e ardhshme dhe përmes arsimit ne  përgatisim të rinjtë të cilët do të shkojnë tutje me idetë e Bashkimit Europian”, u shpreh Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së u tha nxënësve se Bashkimi Europian do të ndihmojë reformën në arsim dhe do të ndërtojë shkolla e çerdhe që do t’i pajisë me teknologjitë më moderne për të arritur standardet europiane.

“Po trajnojmë mësuesit që të marrin ekspertizën dhe që të mund të ju japin juve njohurinë më të mirë të mundshme e cila është brenda standardeve të BE-së”, tha ajo.

Apostolova deklaroi se BE-ja dëshiron një reformë të madhe në arsim, por tregoi se rezultatet e saj nuk do të vërehen brenda një viti.

Sipas saj të rinjtë e shkolluar me standarde europiane do ta zhvillojnë edh ekonomikisht vendin.

“Faktikisht ekonomia është themel i Bashkimit Europian dhe ekonomia është garanci për paqen”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqyri Bytyqi, tha se BE-ja po jep kontribut të madh në Kosovë.

“Ne jemi të vendosur që  të bashkëpunojmë me BE-në, sepse  e kemi partnerin kryesor në ngritjen e standardeve në edukim dhe padyshim duhet falënderuar Apostolovën që ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme për neve që procesin në arsim ta çojmë përpara. Po ndihemi më mirë kur po e kemi një përkrahje të tillë”, tha ministri Bytyqi.

Ai konstatoi se të rinjtë janë pasuria më e madhe qe e ka Kosova dhe në këtë drejtim e kanë obligimin më të madh ndaj tyre.

“Si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë  e kemi për obligim që t’u krijojmë kushte sa më të mira të rinjve tanë në shkolla. Vazhdimisht kemi bërë përpjekje të tilla, po vazhdon përpjekja së pari në infrastrukturë që të kemi një ambient sa më të mirë për mësimnxënie dhe mësimdhënie, por gjithsesi nuk  është e vetmja përpjekje”, tha ai.

Ai porositi mësimdhënësit se nuk duhet ta konsiderojnë veten të punësuar sepse ata janë përtej të punësuarve, e kane një profesion te shenjtë, profesion i cili e ka obligim t’i edukojë të rinjtë.

Ministri deklaroi se të rinjtë kosovarë fizikisht dhe emocionalisht janë të lidhur me Europën.

“Ne si vend nuk jemi vetëm fizikisht pjesë e Europës, por konsideroj që jemi edhe emocionalisht dhe në mënyrë sociale të drejtuar drejt Europës dhe ky rrugëtim do të jetë akoma më i lehtë për ne do të kemi një përkrahje direkte nga Bashkimi Europian”, deklaroi ai.

Më 2 maj Apostolova kërkoi që Kosova të investojë në arsim, e jo në paga të zëvendësministrave.