Natalya Apostolova. Foto: Zyra e BE-së/Facebook

Apostolova- Takime me Përfaqësues të LDK-së e AAK-së

Shefja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova do vazhdojë sot takimet me shefat e grupeve dhe komisioneve parlamentare, duke takuar përfaqësuesit e LDK-së nga ora 09:00 dhe AAK-së nga ora 14:30 në Kuvendin e Kosovës.

Sipas një njoftimit të Zyrës së BE-së, qëllimi i takimeve është të kuptohen prioritetet e përbërjes së re të Kuvendit, të informohen deputetët me prioritetet e BE-së për periudhën e ardhshme dhe të diskutohen mënyrat se si BE-ja në Kosovë mund të mbështesë deputetët në zbatimin e reformave që ndërlidhen me agjendën europiane.

“Këto reforma rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit (MSA) dhe mekanizmat përkatës – Agjenda e Reformës Europiane (ERA) dhe Programi i Reformës Ekonomike (ERP), Strategjia e Zgjerimit dhe Raporti për Kosovën, Udhëzimet për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, Agjendën e Ndërlidhjes dhe dokumentet tjera relevante”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë shefja e Zyrës së BE-së ka takuar përfaqësuesit e PDK-së dhe VV-së me të cilët ka diskutuar po të njëjtat tema./21Media