Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Apostolova: Korrupsioni ka Shumë Fytyra

Në tryezën e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur ku po diskutohet se çfarë do të përfitojë Kosova nga momenti i ri i zgjerimit të BE-së, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova tha se korrupsioni ka shumë fytyra.

Ajo deklaroi se perspektiva europiane është e njëjtë për të gjitha shtetet që aplikojnë për anëtarësim në BE.

“Nuk ekziston dallimi mes Kosovës dhe vendeve tjera në rajon. Perspektiva është e njëjtë. Kushtet janë të njëjta dhe po ashtu mbështetja e BE është e njëjtë”, tha Apostolova.

Apostolova përmendi se BE-ja nuk dëshiron importim të mosmarrëveshjeve në të, ndërsa tha se dialogu ka përmirësuar komunikimin mes Kosovës e Serbisë.

Shefja e Zyrës së BE-së tha se vendimi për rritje pagash nuk krijon besueshmëri.

“Për fat të keq keto janë veprime që nuk japin besueshmëri”, tha Apostolova.

Ndërsa ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha, tha se dera e Bashkimit Europian është e hapur.

“Dera është hapur dhe na mbetet neve sa shpejt do te ecim”, tha Hoxha.

Ajo deklaroi se strategjia e BE-së e bën të qartë se shtetet që do të anëtarësohen nuk duhet të dërgojnë probleme në BE, prandaj deklaroi se Kosova e Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën.

“Për ne është e qartë që duhet të ndodh njohja e dy shteteve. Të gjithë e dimë që e vetmja marrëveshje është njohja reciproke e shtetësisë”, tha Hoxha.

Venera Hajrullahu nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile tha se strategjia e zgjerimit të BE-së jep qartësi negative për Kosovën.

“Komisioni Europian edhe njëherë shkëlqen me gjuhen. Sa i përket Kosovës është e qartë. Është qartësi negative. Është shume e qartë që strategjia e vendos Kosovën ne nivel të MSA-së”, tha Hajrullahu.

Korrespondentja e RTK-së nga Brukseli Gjeraqina Tuhina tha se Kosova duhet të bëjë presion në BE duke aplikuar për anëtarësim.

“Kosova është në  një lloj udhëkryqi dhe i takon Kosovës ta nisë një lloj treni dhe të bëjë trysni BE për aplikim. Po si do te reagoje kjo? E para mund të përfundojë në sirtar ndërsa mundësia e dytë është refuzimi”, tha Tuhina, duke shtuar se rreziku më i madh është mosaplikimi.

Por korrespondenti tjetër në Bruksel që raporton për “Kohën Ditore” Augustin Palokaj tha se nuk e dinte a duhet të aplikojë për statusin e vendit kandidat, po të ishte zyrtar nga Kosova.