Apeli Vërteton Pafajësinë e Shyqyri Haxhës

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim detyre Shyqyri Haxhën më 4 nëntor të vitit 2016.

Haxha ishte liruar mbi bazën se nuk është provuar se e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi lirues me arsyetimin se përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Ndërsa, avokati i Haxhës, Ramë Gashi, kishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të mbetet në fuqi e të refuzohet ankesa e Prokurorisë, pasi që është e pabazuar.

Pas seancës së kolegjit është marrë aktvendimi që të refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore për lirimin e Haxhës nga akuza.

Prokuroria Themelore e ngarkonte Haxhën me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar gjatë periudhës 2009- 2011, sa ishte kryeshef ekzekutiv i PTK-së.

Në bazë të aktakuzës, Haxha akuzohej se në atë kohë e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, matricës së autorizimeve të datës 14 shtator 2009, duke e implementuar Rezolutën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së më 14 korrik të vitit 2009.

Prokuroria pretendonte se këtë e ka arritur duke bërë mbulimin e shpenzimeve të qirasë për stafin e PTK-së që jeton jashtë Kosovës, ashtu që ka përfituar në mënyrë kundërligjore pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2,000 eurosh për çdo muaj, shumë kjo e cila arrin në gjithsej 53,000 euro.

Ai akuzohej se 28,000 euro i ka tërhequr para të gatshme në dorë, ndërsa pjesa tjetër prej 25,000 euro është tërhequr përmes xhirollogarisë bankare në TEB-Bank.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/haxha-u-ktheva-ne-kosove-per-te-ndihmuar/