Apeli Vërteton Pafajësinë e Punëtorëve të KEDS-it për Ryshfet

Gjykata e Apelit përfundimisht u ka dhënë pafajësinë katër punëtorëve të KEDS-it që akuzoheshin për ryshfet, duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin ishin shpallur të pafajshëm.

Esat Tahiri, Gëzim Gashi, Jusuf Shlajani dhe Qamil Bekteshi në janar të këtij viti ishin shpallur të pafajshëm për akuzën e marrjes së ryshfetit, ndërsa për këtë vendim Prokuroria iu drejtua me ankesë Gjykatës së Apelit duke pretenduar se vendimi i themelores nuk ishte i drejtë.

Kolegji i Gjykatës së Apelit në seancën e mbajtur më 8 gusht, pas analizimit të pretendimeve të prokurorisë në ankesë, e cilësoi atë si të pabazuar duke vërtetuar  aktgjykimin e themelores që liroi katër punëtorët nga akuza.

Lajmin për vendimin e Apelit për KALLXO.com e konfirmoi avokati Nikë Shala, mbrojtësi i Gëzim Gashit.

“Ju njoftoj se Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorisë, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë. Që nga fillimi i procedurës kemi qenë të bindur ne pafajësinë e të mbrojturve tonë për shkak se nuk ka pasur prova që do të dëshmonin kryerjen e veprës”, tha Shala.

Eset Tairi, Jusuf Shaljani, Qamil Bekteshi dhe Gëzim Gashi akuzoheshin se kishin pranuar 2,000 euro ryshfet nga Xhemajl Ramadani për të mos i konstatuar në procesverbal parregullsitë lidhur me një kabllo përmes së cilës prokuroria thotë se  vidhej rryma.