Foto-ilustrim

Apeli Vërteton Pafajësinë e Policit të Akuzuar për Vrasje me Revole Zyrtare

Gjykata e Apelit ka vërtetuar pafajësinë e policit Zyfer Krasniqi, i akuzuar për vrasje me revole zyrtare të Bahri Sogojevës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i të akuzuarit, Bajram Tmava.

“Prokurori ka parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë. Unë e kam dhënë përgjigjen në ankesë. Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e prokurorit, kështu duke e vërtetuar në tërësi aktgjykimin e shkallës së parë”, tha Tmava.

Në korrik të vitit të kaluar, Zyfer Krasniqi ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Gjyqtari Beqir Kalludra e kishte arsyetuar aktgjykimin lirues me faktin se Krasniqi ka qenë në detyrë zyrtare dhe ka vepruar në bazë të kompetencave të tij.

http://kallxo.com/lirohet-polici-akuzuar-per-vrasje-revole-zyrtare/

Në bazë të aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 20 korrik 2010 rreth orës 17:00 në lokacionin e quajtur “Te Antenat” në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Prokuroria pretendonte se Zyfer Krasniqi me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Bahri Sogojeva, pasi më parë Sogojeva ia kishte grabitur një telefon mobil, duke e kërcënuar me revole dhe duke e goditur disa herë me grusht në fytyrë.

Sipas aktakuzës, pasi Sogojeva kishte filluar të ikë me telefonin e grabitur, i akuzuari Krasniqi e kishte marrë revolen e tij zyrtare nga vetura dhe kishte qëlluar shtatë herë në drejtim të Sogojevës, duke e qëlluar me të gjithë këta plumba në disa pjesë të trupit.

Sogojeva nga plagët e marra kishte vdekur, ndërsa prokuroria e akuzonte Krasniqin se ka mundur të shfrytëzojë metoda tjera për ta ndaluar dhe arrestuar atë.

Më herët KALLXO.com shkroi për shkatërrimin e vendit ku ndodhi vrasja nga zgjerimi i një rruge.