Apeli vërteton dënimin ndaj Agim Shahinit dhe vëllait të tij (Dokument)

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, si dhe vëllai i tij, Skender Shahini, do të vuajnë dënimin me burg prej 18 muajve nëse kryejnë ndonjë vepër penale brenda 2 vjetësh.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri, ndaj kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahinit, si dhe vëllait të tij, Skender Shahini.

KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin përmes së cilit shpjegohen arsyet e vërtetimit të aktgjykimit të marrë nga shkalla e parë.

Në këtë aktgjykim, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës të vëllezërve Shahini, si dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ku këta të fundit kishin kërkuar burg efektiv ndaj të akuzuarve.

“Gjykata e Apelit e Kosovës gjeti se pretendimet e mësipërme ankimore të mbrojtësve të akuzuarve Agim Shahini dhe Skender Shahini nuk qëndrojnë, ngase aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara me ankesa, e as shkelje të tjera të cilat kjo Gjykatë i konstaton sipas detyrës zyrtare, e të cilat kishin me kushtëzuar anulimin e tij”, thuhet më tej në aktgjykim.

Vendimi i Gjykatës së Apelit – Foto: KALLXO.com

Pala e dëmtuar në këtë proces gjyqësor, banka “TEB”, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Tani më të dënuarit Agim Shahini dhe Skender Shaini ishin shpallur fajtorë për veprën penale dëmtimi i kreditorëve, si dhe për veprën penale mashtrimi, për të cilat secilit veç e veç i është shqiptuar dënim unik me burg të kushtëzuar në kohëzgjatje prej 18 muajve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit në afat prej 2 vjetësh nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Shahini kanë mashtruar të dëmtuarën, kredidhënësen “TEB Bank” SH.A, me seli në Vushtrri, kështu duke mos e përmbushur detyrimin ndaj të dëmtuarës dhe duke i shkaktuar dëm në shumë prej 253.000,00 euro.