Shqyrtimi në Apel i vrasjes së ish-drejtorit të Arsimit | Foto: KALLXO.com

Apeli Shqyrton Vrasjen e Drejtorit të Arsimit

Gjykimi për vrasjen që ndodhi më 3 tetor 2011 në zyrat e Komunës së Prishtinës, për të dytën herë u shpalos para një kolegji të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

Sahiti ishte dënuar me 27 vjet burg në tetor të vitit të kaluar, ndërsa avokati i tij mbrojtës, përfaqësuesi i palës së dëmtuar dhe prokuroria kishin paraqitur ankesat e tyre.

Haxhi Millaku, avokati i Sahitit, ishte ankuar për lartësinë e dënimit, e për arsyen e njëjtë, por duke kërkuar dënim më të lartë, ankesa kishin bërë edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar dhe prokuroria.

Prokurori Xhavit Bislimi dhe avokati i palës së dëmtuar, Xhafer Maliqi kërkuan nga Gjykata e Apelit që të refuzojë ankesën e avokatit të të akuzuarit.

Në anën tjetër, avokati Millaku e kontestoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

“I akuzuari është dashur të shpallet fajtor për veprën penale të vrasjes në afekt mendor (në çast) dhe asgjë më shumë”, thuhet në ankesën e avokatit Millaku.

Në këtë drejtim, Millaku pretendoi se i mbrojturi i tij në momentin e kryerjes së veprës penale kishte simptoma të stresit posttraumatik dhe për këtë arsye aftësia mendore e të pandehurit, sipas tij, kishte qenë e zvogëluar.

Millaku para kolegjit tëApelit shpjegoi arsyet pse Gani Sahiti do të duhej të dënohej më pak për vrasjen e ish-drejtorit RemziSalihu.

“I pandehuri që nga fillimi e ka pranuar se ka kryer veprën penale në polici para prokurorisë si dhe në gjykatë dhe kjo duhet të konsiderohet si rrethanë lehtësuese. Ai nuk ka ndonjë dosje tjetër penale dhe nuk është recidivist”, tha Millaku.

Vendimi mbi  pretendimet e palëve do të merret ditëve në vijim nga Gjykata e Apelit.

Sahiti akuzohet se më 3 tetor 2011 në vendin e punës në mënyrë dinake dhe të paskrupullt privoi nga jeta Remzi Salihun, atëkohë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Për veprën penale për të cilën akuzohet, Gani Sahiti nga Gjykata Themelore e Prishtinës në qershorin e vitit 2013 qe dënuar me 35 vjet burg.

Mirëpo, rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në janar 2014 me arsyetimin se janë konstatuar shkelje thelbësore të dispozitave penale gjatë gjykimit të shkallës së parë.

Shkrimet në lidhje me gjykimin e Gani Sahitit mund t’i lexoni këtu,