Arkiv - Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq | Foto: KALLXO.com

Apeli Refuzon Ankesën e Prokurorisë Lidhur me Policët e Rastit Ivanoviq

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të datës 12.02.2018, sipas të cilit ishte refuzuar kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit kundër të dyshuarve Zharko .J. dhe Dragisha M.

I pari dyshohet për veprat penale  “Manipulim me prova” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“, ndërsa i dyti për veprën penale “Manipulim më prova”.

Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit gjeti se ankesa e Prokurorisë kundër vendimit të shkallës së parë është e pabazuar, pasi që Gjykata Themelore ka vepruar drejt kur ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase nuk ka ofruar prova bindëse që do të arsyetonin pretendimin se pse është i nevojshëm paraburgimi në këtë fazë të procedurës.

Gjithashtu, kjo Gjykatë vlerëson se në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet ligjore të  parapara në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Zharko J. dhe Dragisha M., ishin liruar në seancën e 12 shkurt.

Dy policët ishin arrestuar nën dyshimin se kanë zhdukur prova nga vendi i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

http://kallxo.com/lirohen-policet-e-dyshuar-per-fshehje-te-provave-ne-rastin-ivanoviq/

Prokuroria pretendon se më 16 janar rreth orës 08:14 të dy kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë vepruar në mënyrë joprofesionale duke lejuar që të hyjnë dhe të dalin njerëz nga vendi ku kishte ndodhur ngjarja.

Sipas Prokurorisë, nga video-incizimet e kamerave të sigurisë shihet i dyshuari Zharko J. të ketë marrë një gëzhojë, ndërsa kolegu i tij vetëm e shikon e më pas të dy janë larguar nga vendi.

Po ashtu, Zharko J. i është gjetur edhe një armë pa leje.

Kurse Prokuroria kërkoi caktimin e masës së paraburgimit për policët, nën dyshimin për manipulim të provave.