Oliver Ivanoviq në Gjykatën e Apelit | Foto: KALLXO.com

Apeli Fton Dëshmitarë në Çështjen e Ivanoviqit

Gjykata e Apelit gjatë shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes dhe prokurorisë lidhur me vendimin e Gjykatës në Mitrovicë ndaj Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve në gjykimin për krime lufte, vendosi të hapë shqyrtim gjyqësor dhe të ftojë dëshmitarë.

Ivanoviq pretendon që është gjykuar dy herë për të njëjtën çështje, pasi thotë se çështja për të cilën u dënua nga Gjykata në Mitrovicë ishte objekt shqyrtimi i një gjykimi të mëhershëm nga UNMIK-u.

Por kryetari i Panelit të Apelit i tha Ivanoviqit se sot nuk do të shqyrtohet pafajësia juaj e mundshme, por vetëm parimi “Ne bin in idem”, parim që për të njëjtën çështje askush nuk mund të gjykohet dy herë.

Prokuroria e Apelit ia sqaroi Ivanoviqit se për çështjen për të cilën është dënuar nuk ka pasur hetime më parë, por hetimet kanë filluar vetëm në vitin 2013.

“Hetime ka pasur për të mbledhur prova, por për të dyshuar tjerë e jo për Ivanoviqin. Asnjëherë nuk ka pasur aktvendim për fillim të hetimeve dhe as për pushimin e  hetimeve,” tha prokurori i Apelit.

Sot në Gjykatën e Apelit po dëshmon Mahmut Halimi që deri në prill 2001 ishte gjyqtar hetues, ndërsa po e hetonte rastin për krime lufte të cilin e përmendi Ivanoviq.

Halimi tha se në atë kohë kishte filluar hetimet ndaj gjashtë apo shtatë personave, ndërsa sipas tij ishin dy ose tre dëshmitarë që gjatë pyetjeve kishin implikuar Ivanoviqin.

Halimi deklaroi se ndaj Ivanoviqit nuk ishte marrë asnjë aktvendim për fillim hetimesh.

“Kanë qenë rrethanat e tilla që kundër Ivanoviqit nuk ka kanë lejuar me i filluar hetimet,” tha Halimi.

Ivanoviq tha në gjykatë se para 7 janarit 2014 nuk ka pranuar ndonjë ftesë policia, prokuroria dhe gjykata, sepse do t’i përgjigjej asaj.

Edhe prokurori i Apelit tha se nuk ka pasur hetime të mëhershme ndaj Ivanoviqit.

“Nuk ka pasur aktvendim për fillimin  e hetimeve dhe nuk ka asgjë që na shpie tek mendimi se ka pasur hetim ndaj Oliver Ivanoviqit. Ne kemi pyetur edhe ne Serbi dhe as ne Serbi nuk ka pasur ndonjë hetim per Ivanoviqin,” tha prokurori.

Por avokati i Ivanoviqit tha se mbrojtja ka qëndrimin se pika e parë e aktakuzës dhe pika parë e aktgjykimit janë mbuluar nga parimi “Ne bis in Idem”, një parim i drejtësisë sipas të cilit askush nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën çështje.

Seanca në Apel përfundoi, ndërsa kryetari i panelit të kësaj gjykate njoftoi palët se vendimin do ta marrin me kohë.

Shqyrtimi i ankesave për dënimin e Ivanoviqit dhe lirimin e të akuzuarve tjerë nisi më 28 shtator, kur mbrojtja e të akuzuarve kërkoi përjashtimin e Driton Muharremit, anëtarit vendas në Panelin e Apelit me arsyetimin se dëshiron që ankesat t’i shqyrtojë vetëm gjyqtarët e EULEX-it.

Një kërkesë e tillë ishte hedhur poshtë nga gjykata.

Oliver Ivanoviq u dënua me nëntë vjet burg më 21 janar të këtij viti për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve, ndërsa të pafajshëm qenë shpallur edhe Dragolub Delibashiq, Aleksandar Llazoviq dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiq.

http://kallxo.com/sot-vendimi-per-oliver-ivanoviqin/

Ankesën në Apel ndaj vendimit të themelores e kishte paraqitur mbrojtja e Oliver Ivanoviqit, ndërsa prokuroria ishte ankuar për lirimin e të akuzuarve tjerë të këtij procesi gjyqësor.

Oliver Ivanoviq akuzohej se ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ishte lider i një njësie paraushtarake policore.

Ivanoviq akuzohej gjithashtu bashkë me Dragolub Delibashiqin për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq ngarkoheshin me akuza për vrasje ose tentativë për vrasje.

Dosja Ivanoviq në KALLXO.com.