Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Apeli e Kthen në Rivendosje Fatin e Aktakuzës së Salih Mekajt

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit është duke u zhvilluar në seancë të mbyllur. Pas mbajtjes së seancës fillestare, Kodi i Procedurës Penale parasheh se mbrojtja ka të drejtën e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave.

Në rastin e Salih Mekajt, Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar këto kundërshtime ndërsa mbrojtja iu drejtua Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit me aktvendim aprovoi ankesat e mbrojtjes duke anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore me të cilin ishin refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe vendosi që çështja të kthehet në rivendosje.

“Gjykata e Apelit konstaton se aktvendimi i shkallës së parë nuk ka paraqitur arsyet të qarta dhe konkrete ashtu si obligon dispozita e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Apeli vendimin e saj e arsyeton duke thënë se gjykata e shkallës së parë ka qenë e detyruar që të japë arsye se pse veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit përbëjnë vepra penale, e gjithashtu se nga cilat prova konkrete mbështet dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen.

Në të njëjtin vendim, kolegji i Apelit konstaton se gjykata e shkallës së parë ka qenë e detyruar të jap arsye konkrete se pse provat janë të pranueshme dhe pse ka gjetur se kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hedhje të aktakuzës është e pabazuar.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj po dyshohet nga ana e Prokurorisë për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në të njëjtin rast të akuzuar janë edhe tre persona të tjerë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për ecurinë e procesit ndaj Salih Mekajt ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.