Sami Lushtaku | Foto: Atdhe Mulla

Apeli Dënon Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimin

Gjykata e Apelit ka sjellë aktgjykim në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, me ç’rast të gjithë komandantët dhe ushtarët e UÇK-së pjesë të këtyre dy gjykimeve i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me burg.

Lajmin e ka bërë publik avokati Tomë Gashi përmes një postimi në “Facebook”.

“Në aktgjykimin të cilin sot e kam pranuar, sa i përket Gjeneral z.Sylejman Selimi dënimi është përcaktuar në 5 vite e 3 muaj burgim, ashtu që duke pasur parasysh edhe rastin “Drenica II” i është bashkuar dënimi dhe i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 10 viteve”, ka shkruar avokati lidhur me klientin e tij, Sylejman Selimi, i cili në kohën e luftës ka qenë edhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Avokati Gashi ka njoftuar po ashtu edhe për dënimin që i është shqiptuar kryetarit aktual të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Sipas avokatit, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës është liruar nga akuza për vrasje.

“Ai është liruar nga vepra penale për vrasje dhe dënimi është ndryshuar dhe i është shqiptuar dënim me burgim prej 7 viteve dhe poashtu z.Jahir Demakut i është bashkuar dënimi në rastin “Drenica I” dhe “Drenica II” dhe i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej 7 viteve”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.

Më tej, avokati tregon se pjesa tjetër e aktgjykimit është konfirmuar siç ka qenë aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë i datës 25.5.2015.

“Aktgjykimi është skandaloz, është nxjerrur pa asnjë prove dhe të gjithë janë dënuar me deklaraten e një dëshmitari të mbrojtur, i cili ka probleme mendore të vërtetuara edhe gjatë gjykimit”, ka shkruar Tomë Gashi, duke paralajmëruar se ai dhe kolegët e tij avokatë do ta dërgojnë këtë rast në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ishte dënuar më 27.5.2015 nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 12 vjet burg për një vrasje të kryer gjatë vitit 1998, ndërsa Sylejman Selimi me 6 vjet për keqtrajtim të civilëve gjatë luftës.

Dënohen Sami Lushtaku e Sylejman Selimi

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi proceset gjyqësore ndaj komandantëve dhe ushtarëve të Zonës Operative të Drenicës të UÇK-së.