Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli Dënon Gjyqtarin për Marrje Ryshfeti

Gjyqtari i ish-Gjykatës Komunale në Gjilan Miodrag Paviq është dënuar nga Gjykata e Apelit për marrje ryshfeti.

“Andaj, Gjykata e Apelit me aplikimin e dispozitave të neneve 41 dhe nenit 46 të KPRK-së, të akuzuarit i shqipton dënimin me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 07.11.2012 e gjer më 04.12.2012”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Paviq ishte liruar në vitin 2015 nga Gjykata Themelore në Prizren, por më pas ndaj vendimit të gjykatës ishte ankuar në Apel Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e themelores, duke aprovuar ankesën e prokurorisë.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, në rastin e të akuzuarit M.P., për shkak të veprës penale: “Marrja e ryshfetit” nga neni 343 par.2 të Kodit Penal të Kosovës”, vijon komunikata.

Apeli tregon më tutje se e shpalli fajtor gjyqtarin MIodrag Paviq.

“Kjo gjykatë të akuzuarin e  shpallë fajtor,  sepse në vitin 2012,  si gjyqtar pranë Gjykatës Komunale në Gjilan, ka kërkuar nga pala e dëmtuar, e pastaj edhe pranuar, një shumë të hollash prej 2 mijë eurove,  për të kryer një veprim të cilin është dashur ta kryej, në kuadër të autorizimeve të tij zyrtare”, thuhet në komunikatë.

Gazeta jeta në Kosovë kishte shkruar për ryshfetin e gjyqtarit Paviq.

Gjyqtari e Mori Vendimin në Pompë Benzine