Arkiv: Qemajl Mustafa

Apeli: Aktakuza Ndaj Qemajl Mustafës u Hodh pa Arsye të Plota

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në lidhje me hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj ish-kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa dhe 38 personave tjerë, duke renditur një varg shkeljesh nga Gjykata në Pejë.

Gjykata Themelore e Pejës me aktvendimin e datës 25 korrik të këtij viti kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa që akuzohet për krim të organizuar lidhur me shpërdorim të detyrës zyrtare.

“Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të plota lidhur me hedhjen e parregullt të aktakuzës”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Më tej Gjykata e Apelit tregohet edhe më e ashpër me Gjykatën e Pejës duke konstatuar se kjo e fundit ka shkelur edhe një parim gjyqësor.

“Gjykata e Apelit vlerëson se në këtë çështje penale gjykata themelore veproi në kundërshtim me parimin e pavarësisë së gjykatës e cila pavarësi është e rregulluar me ligj”, thuhet në vendimin e Apelit.

Duke u bazuar në këto të gjetura, Gjykata e Apelit e urdhëron Gjykatën e Pejës që të “vazhdojë shqyrtimin fillestar, shqyrtimin e dytë dhe sipas nevojës shqyrtimin gjyqësor dhe pas të gjitha veprimeve të parapara me Kodin e Procedurës Penale t’i marrë parasysh të gjitha propozimet e palëve në procedurë dhe t’i vlerësojë ato dhe varësisht prej stadeve të procedurës të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm”.

Bashkë me Mustafën dhe për të njëjtat akuza me të cilat ai ngarkohet, po akuzohen edhe Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Iljaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi,Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim  Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani,  Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Nazim Jashari.

Për krim të organizuar lidhur me veprën e keqpërdorimit në ekonomi, të akuzuar në këtë rast janë edhe Basri Kqiku, Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skënder Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani, dhe Asllan Syla.

Aktakuza ndaj Mustafës dhe të tjerëve u ngrit në shtator të vitit të kaluar.

Pjesë e kësaj aktakuze përpos zyrtarëve të Komunës së Gjilanit janë edhe disa biznesmenë.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ose duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit në Komunën e Gjilanit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ish kryetari Qemajl Mustafa ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.

KALLXO.com e ndoqi gjykimin e Mustafës.