Foto: Public Domain Pictures

Anulohet Tenderi 14.6-Milionësh për Furnizim me Naftë

Gjykata e Tenderëve ka urdhëruar anulimin e tenderit të Autoritetit Qendror të Prokurimit për furnizim me naftë.

Ky tender, i iniciuar nga AQP-ja, ka të bëjë me furnizimin me naftë të disa Institucioneve të Kosovës, ndërsa vlera e planifikuar e kontratës është 14 milionë e 650 mijë euro.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka vendosur që të urdhërojë anulimin e këtij tenderi edhe pse për të ende nuk janë dorëzuar ofertat nga operatorët.

Kthimi në ritenderim është bërë pasi është aprovuar kërkesa e kompanisë “HIB Petrol”, e cila ishte ankuar për shkak të mosvendosjes së asnjë kufizimi nga e AQP-së për kompanitë që do të mund të ofertojnë në këtë tender.

Mosvendosjen e kufizimeve, AQP-ja e ka arsyetuar me rritjen e konkurrencës, ndërsa kompania “HIB Petrol” kishte thënë se një gjë e tillë e dëmton konkurrencën.

E paneli shqyrtues i Prokurimit në vendimin e tij për kthimin në ritenderim të kësaj lënde ka konstatuar se AQP-ja nuk ka vendosur kërkesa tipike për natyrën e aktivitetit të prokurimit duke ua mundësuar të ofertojnë edhe shumë operatorëve të tjerë joprofesionalë, që nuk janë të kualifikuar dhe që nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përfunduar kontrata të kësaj natyre.

OShP-ja e ka rekomanduar AQP-në që për të rritur konkurrencën mund të ndajë tenderin në shumë lote.

“Gjithashtu autoriteti kontraktues me qëllim të transparencës dhe trajtimit të barabartë të të gjithë ofertuesve tjerë duhet të ketë parasysh zbatimin e nenit 27/A të Ligjit për Prokurim Publik (LPP) dhe mundësisë së ofertimit në më shumë lote”, thuhet në vendimin e panelit shqyrtues të Prokurimit, i përbërë nga Blerim Dina, Nuhi Paqarizi dhe Goran Milenkoviq.

Po ashtu, paneli i OShP-së ia ka kujtuar AQP-së së Ligji i Prokurimit ia mundëson operatorëve që të bashkohen në konsorciume me qëllim të plotësimit të kërkesave të përshtatshmërisë profesionalee, të gjendjes financiare dhe të aftësive teknike profesionale.

Gjatë prezantimit në seancë përfaqësuesi i operatorit ankues “HIB Petrol” ka thënë se kriteret të cilat kanë qenë të ngarkuara kanë qenë të mangëta duke u bazuar në nivelin e aktivitetit të prokurimit. Sipas tij, AQP-ja ka krijuar një monopol i cili është përdorur nga operatorët ekonomikë.

“Kriteret të cilat nuk përmbajnë as gjëra elementare për furnizim me derivate të naftës kanë krijuar kompani të quajtura fantome, të cilat për shkak të kritereve të cilat nuk janë kërkuar ia kanë mundësuar krijimin e një monopoli prej një kompanie të vetme”, deklaroi përfaqësuesi i “HIB Petrol”.

Ai tha se këtë konstatim e bazojnë në të gjeturat në terren nga nënkontraktorët e tyre të cilët kanë njoftuar se e njëjta kompani ka përgatitur dokumentacionin për dy ose më shumë kompani pjesëmarrëse në këtë aktivitet.

Me këto konstatime nuk është pajtuar përfaqësuesi i AQP-së që ka marrë pjesë në seancën e OShP-së. Ka thënë se kriteret janë në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik.

“Për çështjen e monopolit apo marrëveshjeve të fshehta, kushdo që ka informacione për burime-marrëveshje të tilla konsideroj se duhet drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) sipas nenit 130 të Ligjit për Prokurim Publik”, shtoi përfaqësuesi i AQP-së.

Eksperti shqyrtues i autorizuar nga OShP-ja më datë 06.02.2017 i ka rekomanduar panelit shqyrtues se ankesa e operatorit ekonomik ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, ndërsa të aprovojë vendimin e autoritetit kontraktues për njoftimin për kontratë, të datës 1 dhjetor  2016.

Eksperti shqyrtues i ka dhënë të drejtë AKP-së. Ai në seancën e OShP-së citohet të ketë thënë se të drejtën dhe përgjegjësinë e ka autoriteti kontraktues (AQP) të specifikojë kritere për kualifikim të operatorëve ekonomikë varësisht prej natyrës së aktivitetit të prokurimit. Eksperti shqyrtues tha se është shoqata e naftëtarëve ajo që ka kërkuar që të zbuten kriteret për këtë tender të madh.

“Shoqata e naftëtarëve ka kërkuar nga AQP që disa kritere si licenca për deponim, autorizimi i prodhuesit, e disa kritere të panevojshme të eliminohen nga aktiviteti i prokurimit, për arsye se këto kritere kanë minimizuar konkurrencën dhe kanë krijuar favorizim për dy apo tri kompani, kompani të cilat pas aplikimit të këtyre kritereve kanë përfituar pothuajse çdo tender”, potencoi eksperti shqyrtues gjatë seancës.

Njoftimi për kontratë lidhur me këtë aktivitet të prokurimit është bërë me 01.12.2016.

Kërkesa për rishqyrtim nga ana e operatorit ekonomik “HIB Petrol” është bërë me 19.01.2017.

Vendimi në lidhje me refuzimin e shqyrtimit të kësaj kërkese është marrë më 20.01.2017.

Por “HIB Petrol” si palë e pakënaqur ka deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) më 23 janar 2017 kundër njoftimit për kontratë të autoriteti kontraktues, AQP-së për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Karburante”, duke pretenduar se autoriteti kontraktues ka bërë shkelje të neneve  7, 28, 30, 71 të Ligjit për Prokurim Publik.

Ky është tenderi më i madh për furnizim me naftë. Zhvillimi i procesit të prokurimit nga AQP-ja në të kaluarën ka bërë që një kompani e madhe të fitojë pjesën më të madhe të furnizimit me naftë, pasi është dhënë vetëm një kontratë për furnizim të disa institucioneve.

Kthehet në Rivlerësim Tenderi për Shkak të ‘Mbrojtjes së Konkurrencës’

 

Redaktoi: Visar Prebreza