Anulimi i Konkursit  ‘Shkencëtari i Vitit’, Ngjall Reagime

Vendimi i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi për anulimin e konkursit që do t’i shpërblente shkencëtarin më të mirë dhe shkencëtarin e ri më të mirë për vitin 2017 po konsiderohet i papranueshëm nga ata që aplikuan.

Fitim Uka, doktor shkence në Fushën e Psikologjisë dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, i cili kishte aplikuar për titullin “Shkencëtar i ri i Vitit”, konsideron se anulimi është joserioz.

“Duke mos njohur arsyet e anulimit, ajo çfarë mund të them është që lajmi i tillë është befasues. Ky është një maltretim për shkencëtarët dhe hulumtuesit, është ndëshkim në vend të shpërblimit. Përgatitja e aplikacioneve merr kohë të gjatë, sigurimi i nominimeve prej institucioneve ndërkombëtare është po ashtu proces dhe nëse pezullimi i vendimeve është bërë për gabime të ministrise, kjo është vërtetë joserioze”, tha Uka.

KALLXO.com dje raportoi lidhur me anulimin e konkursit në fjalë, që sipas zyrtarit të ministrisë, Valmir Gashi është bërë për shkak të shkeljeve ligjore në përbërjen e këshillit shkencor të trashëguar nga ministria e kaluar.

Uka, megjithatë shtoi se këto veprime të ministrisë po i bëjnë shkencëtarët të duken qesharakë në sy të institucioneve ndërkombëtare që i kanë nominuar për këto çmime

“Imagjinojeni se si mund te komunikojmë një lajm të tillë tek institucionet ndërkombëtare. Të thuash që konkursi është anuluar, vërtet ky mund të jetë një shpjegim qesharak. Mbes me shpresë qe ministri do të reflektojë mbi vendime të tilla dhe nuk do të maltretohet një komunitet të tërë shkencëtarësh. Besoj, qe meritojmë pak me shumë respekt, nëse nuk i meritojmë shpërblimet”, tha Uka.

KALLXO.com kishte shkruar në vitin 2014 se një i zgjedhur shkencëtar i vitit nuk ishte avancuar në UP.

13 Janar 2018 - 18:00

Doruntina Baliu 13/01/2018 - 18:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend