Speca të prekur nga Antraknoza - Foto: Facebook

Antraknoza, Sëmundja që Rrezikon Kulturën e Specit

Fshati Krushë e Madhe, që njihet për kultivimin e specave, tash e tre vjet po përballet me Antraknozën, një lloj i sëmundjes i kësaj kulture, e cila ka tendenca të rritjes nga viti në vit.

Selami Hoti, kryetar i fshatit, ka thënë për KALLXO.com se simptomat e para të kësaj sëmundjeje janë shfaqur para tre vjetësh, duke e prekur vetëm një lloj të specit, kurse më 2016 janë prekur të gjitha llojet.

“Simptomat e para janë shfaqë para tre vjetësh. Vjet ka goditur më theksueshëm duke bërë dëme goxha të mëdha. Kryesisht si sëmundje e ka prekur specin e kuq, që nëse e marrim me përqindje të asaj që është mbjellë ka bërë mbi 10 milionë euro dëm. Ndërsa sivjet ka goditur edhe më shumë, duke i prekur të gjitha llojet e specave, si të bardhin, si të kuqin”, ka thënë Hoti.

Sipas kryetarit të Krushës së Madhe, në qoftë se nuk merren masa parandaluese, gjatë vitit 2017  kjo sëmundje do të shkaktojë dëme shumë më të mëdha.

“Fatkeqsisht si shumë probleme të tjera që e përcjellin bujqësinë, edhe kjo sëmundje ka me qenë prezente dhe jam i sigurt se ka me qenë me një përqindje edhe më të madhe”, tha Hoti për KALLXO.com.

Sipas rezultatit të analizave nga Institutiti Kombëtar i Bujqësisë në Pejë, shkaktar i prishjes së kulturave bujqësore ka qenë kalbëzimi që vjen nga kërpudhat për shkak të lagështisë.

Selami Hoti thotë se llogaritet se mbi 20 milionë euro është shuma e dëmeve sipas një statistike e cila nuk është e bazuar në të dhëna të Ministrisë së Bujqësisë, për faktin se nuk dihet saktë sipërfaqja e përgjithshme e mbjellë me kulturë të specit.

“Humbjet në mjetet financiare llogaritet të jenë mbi 20 milionë euro. Kjo shumë del nëse llogarisim se janë prishur gjysma e 3,000 hektarëve. Ne llogarisim se 1 hektar të jetë deri në 20 tonelata. E nëse llogarisim se janë prishur 1,500 hektarë atëherë na del afërsisht kjo shumë“, ka theksuari ai.

Ndërsa bujku Hasan Krasniqi ka thënë se nga dy hektarë spec sa ai kultivon ka pasur një prishje prej 60% të prodhimit.

“Ne i mbjellim mbi dy hektarë dhe kemi pasë prishje mbi 60%. Fitimet kanë qenë shumë të ulëta. Sëmundja ka shkaktuar shumë dëm që nëse shprehet në euro diku rreth 3,000 euro jemi minus”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Krasniqi gjithashtu shtoi se nuk kanë pasur kompensim të dëmeve dhe se prishja e specave nuk kishte ndikuar në ngritjen e çmimit të tyre në treg.

“Ne kemi pasë kredi. Qato pjesë pjesë tuj i pagu. Edhe pse specat janë prishur kjo nuk ka ndiku në rritjen e çmimit të tyre, çmimi ka qenë shumë i ulët. Disa nuk dojshin edhe m’i marrë se frigoheshin për shkak të sëmundjes”, ka thënë ai.

Sipas analizave të Institutit Bujqësor të Kosovës, shkaktarë të shfaqjes së Antraknozës janë kultivimi i vazhdueshëm i specit në të njejtën sipërfaqe kultivuese, ujitja që aplikohet në bazë të sistemit me shi artificial dhe plehërimi jo i balancuar me plehëra artificialë.

Drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci, tha për KALLXO.com se masat preventive të kësaj mund të jenë përdorimi i farave të certifikuara, aplikimi i sistemit pikë-pikë, përdorimi i plehut jo të infektuar.

“Përdorimi i farave të certifikuara, përzgjedhja e variateteve rezistente të kulturës së specit, aplikimi i qarkullimit shumëvjeçar bimor, aplikimi i sistemit të ujitjes pikë-pikë, aplikimi i plehut organik të sterilizuar, përdorimi i plehut jo të infektuar”, është shprehur Geci.

Kulturë e specit e prekur nga Antraknoza - Foto: Facebook
Kulturë e specit e prekur nga Antraknoza – Foto: Facebook

Ndërsa si masa kuruese janë luftimi i patogjenit me pesticide fungicid adekuat si dhe përdorimi i plehrave artificialë përmes procesit të ujit të elektrizuar.

“Aplikimi i metodës për luftimin e patogjenit me pestocide fungicid adekuat dhe metoda e luftimit të patogjenit përmes përdorimit të llojeve të plehrave mineral përmes procesit të ujit të elektrizuar. Kjo metodë për herë të parë në vendin tonë do të aplikohet gjatë vegjetacionit 2017, nën monitorimin e ekspertëve të Institutit Mediteran të Barit në Itali. Përparësia e kësaj metode qëndron në evitimin e përdorimit të pesticideve në prodhime bujqësore dhe ambiente kultivuese”, është shprehur Geci.

Redaktoi: Naser Sertolli