Antikorrupsioni Mbyll Rastin e Ministrit për Konflikt Interesi

Sipas AKK-së rasti i hapur nën dyshimin për konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik për ministrin e Administratës Publike Mahir Yagcilar, është trajtuar sipas procedurës së paraparë me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Vendimi për këtë çështje është marrë nga Agjencia Kundër Korrupsionit më 25 prill 2016.

Rasti ndaj Yagcilar-it u hap pasi Gazeta Jeta në Kosovë më 14 tetor të vitit të kaluar publikoi hulumtiminme titull “Ministri Yagcilar u jep Para Anëtarëve të Partisë”.

Ky hulumtim zbuloi se Ministria e Administratës Publike  gjatë vitit 2014 ndau 39 mijë e 170 euro për subvencionim të OJQ-ve.

Katërmbëdhjetë OJQ përfituan nga ky fond, ndërsa pesë prej tyre drejtoheshin nga bashkëpartiakë të ministrit të Administratës Publike.

Yagcilar, i kontaktuar në atë kohë nga Gazeta Jeta në Kosovë, kishte arsyetuar veprimin e tij duke thënë se përfituesit nuk u përkisnin strukturave drejtuese të partisë së tij.

Ministri Yagcilar u jep Para Anëtarëve të Partisë

Edhe AKK-ja në arsyetimin e vendimit të saj shkruan se mbështetja financiare e Ministrisë së Administratës Publike për pesë organizata joqeveritare të drejtuara nga anëtarët e Partisë Demokratike Turke KDTP, pjesë e së cilës është edhe ministri Yagcilar është parë si situatë e dyshimtë për konflikt interesi.

Sipas arsyetimit të këtij vendimi, Agjencia Kundër Korrupsion e ka siguruar dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin dhe ka pranuar një shkresë zyrtare (DPKI-03-02-626/16) me të cilin është vërtetuar statusi i drejtuesve të këtyre pesë organizatave joqeveritare.

Edhe AKK-ja ka vërtetuar se pesë përfituesit e organizatave joqeveritare janë anëtarë të KDTP-së.

Në arsyetim megjithatë AKK-ja shkruan se pas shqyrtimit të fakteve të siguruara është vërtetuar se nuk ka shkelje të dispozitave të  Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Por kjo agjenci nuk përjashton mundësinë që ky rast të rihapet nëse paraqiten rrethana të reja.

Ndryshe, Gazeta Jeta në Kosovë kishte zbuluar emrat e anëtarëve të KDTP-së dhe emrat e organizatave që kishin përfituar.

Erdogan Muhamed kryetar në organizatën “Birlik Mitroviça Türk Derneği” kishte përfituar 1 mijë euro, Tyrkan Basha drejtues në organizatën humanitare “Cerebralis” 1 mijë e 440 euro, Fatma Shufta, anëtare e KDTP-së dhe drejtuese në organizatën “Shoqata a Vëllazërisë së Karavanit të Kosovës / Kosova Kardeşlik Kervanı  Derneği” 1 mijë e 500 euro.

Përfitues i 3 mijë eurove nga MAP-i ishte edhe  Ferhat Dervis i organizatës “Filizler Turkish Cultural and Artistic Society” dhe Etem Kazaz,  president i organizatës “Rumeli-Turkish Theatro Artists of Kosovo” që  përfitoi 3 mijë e 230 euro.