Ankohet se Komuna i Dha Lopë të Sëmurë

Baliu mori dy lopë nga komuna, duke paguar gjysmën e çmimit për to, por asnjëra nuk i doli sipas përshkrimit në kontratën e nënshkruar

“Lopët mi kanë pru në mbrëmje, atë natë edhe rryma është ndalur. Njëra ish kon e smut, të nesërmen i kam lajmëruar në telefon të pasnesërmen jam shkuar në mëngjes, edhe në mbrëmje jon ardhur edhe e kanë marrë lopën e sëmurë,” tha baliu për KALLXO.com.

Sipas tij as lopa e dytë nuk e kishte peshën prej 450 kilogramësh, siç shkruante në kontratë

“Lopa e dytë nuk ka qenë e sëmurë,  por normal në kontratë shkruan gjashtë muaj e mbarësuar, e ajo o kon 4 muaj,” tregoi Baliu.

Për këto dy lopë ai pagoi 1500 euro, ose 50 për qind të çmimit real të tyre.

Lopët përpara se t’u shpërndaheshin fermerëve u kontrolluan nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit. Kjo agjenci nuk ka informaione se Komuna e Vushtrrisë u shpërndau fermerëve të saj lopë të sëmura.

Jehona Murati, zyrtare Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit tha për KALLXO.com se lopët kanë kaluar të gjitha fazat që nga importimi e deri te shpërndarja nëpër fermerë dhe nuk ka pasur asnjë problem.

Murati tha se për sëmundje të mundshme të këtyre lopëve veterinarët komunalë duhet ta njoftojnë Agjencinë e Veterinës.

“Për 14 ditë lopët kanë qëndruar në karantinë dhe gjatë kësaj kohe nuk është vërejtur ndonjë sëmundje dhe lopët janë lejuar që t`u shpërndahen fermerëve. Ne si Agjencion nuk e kemi asnjë informatë se lopët janë të sëmura, kjo është përgjegjësi e veterinarëve komunalë të cilët duhet të na njoftojnë ne për çdo dyshim të ngritur,” deklaroi ajo.

Kryetari i Vushtrrisë Bajram Mulaku në debatin “Jeta në Komunë” tha se nuk është në dijeni se dikujt prej fermerëve i janë dhënë lopët e sëmura.

“Pranimin e këtyre lopëve e bëjnë zyrtarët e Komunës sonë. Edhe kur është bërë pranimi teknik, nuk kanë reaguar shumë ata që kanë përfituar lopët. Mirëpo, janë paraqitur disa raste kinse lopët janë të sëmura. Mirëpo ka mundësi që ndoshta edhe gjatë rrugës, apo i ka lënë diku ku kanë pasur të ftohtë ato. Ne s`kemi pranuar asnjë ankesë, nëse na vjen ndonjë ankesë nga fermerët ne do ta shqyrtojmë,” deklaroi kryetari Mulaku.

Rrahim Ajeti nga AAK-ja  në debatin “Jeta në Komunën e Vushtrrisë” pati akuzuar kryetarin se mbi 80 për qind e lopëve qumështore nuk kanë dalë sipas kushteve të kontratës që fermerët kanë nënshkruar me Komunën.

“Janë disa të zeza që kanë ndodhë, por kryetari nuk e di nëse është në dijeni. Janë diku 80 për qind e lopëve qumështore që nuk i plotësojnë kushtet e parapara me kontratë dhe ka fermerë që i kanë kthyer prapa, edhe pse kanë participuar me 50 për qind të mjeteve për ato lopë,” tha Ajeti.

Komuna e Vushtrrisë i ka shpërndarë gjithsej 60 krerë lopë për 30 fermerë në vitin e kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare të ofruara nga Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Vushtrrisë, lopët kanë qenë të importuara nga Rumania dhe janë të racës Simental.

E gjithë kjo procedurë  ka qenë e mbikëqyrur nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit. Realizimin e këtij tenderi Komuna e Vushtrrisë ia kishte besuar kompanisë “Apetit Group”.