Ankesa për Shembjen e Asfaltit në Bokshiq të Klinës

Rruga kryesore e fshatit Bokshiq të Komunës së Klinës e cila ishte asfaltuar para 4 viteve është dëmtuar.

Banori i këtij fshati, Ismet Zeqa, tha për KALLXO.com se rruga është dëmtuar për shkak të cilësisë se dobët në punime dhe qarkullimit mbi të nga automjetet me mbipeshë.

“Na mendojmë që nuk është ba ndërtimi i rrugës ashtu qysh e kërkojnë standardet, u ba shkel edhe shko edhe si pasojë e asaj ka ardhë edhe deri të prishja e rrugës. Faktor që ndoshta kaq shpejt është prishë rruga, është edhe mbipesha se ka transport te madh me mbipesha se është fabrika e bllokave 500 metra pas shpinës time. Edhe ajo ka ndikuar, por edhe cilësia e dobët”, tha Zeqa.

Kërkesë e vetme e banorëve është të intervenohet nga institucionet komunale në rinovimin e rrugës kryesore të fshatit.

Iber Elezaj, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Klinës tha për KALLXO.com përmes telefonit se javën e kaluar kishte vizituar ketë fshat dhe nga afër kishte parë dëmtimin e rrugës kryesore të Bokshiqit.

Ai theksoi se pas kontraktimit të një kompanie nga komuna për mirëmbajtjen e rrugëve, do intervenohet për evitimin e dëmeve të kësaj rruge.

“Jemi ne dijeni për dëmtimin e asaj rruge, personalisht javën e kaluar kam qenë në atë pjesë dhe e kam parë nga afër gjendjen e asaj rruge. Momentalisht jemi në procedurë të hapjes së tenderit për angazhimin e operatorit për mirëmbajtjen e rrugëve. Pas kësaj menjëherë do intervenojmë në atë pjesë dhe rrugë tjera të komunës”, tha Drejtori i Shërbimeve Publike për KALLXO.com

Elezaj shtoi se për shkak të gabimeve të qeverisjes se kaluar janë duke shpenzuar me shumë mjete buxhetore për t’i evituar problemet.

KALLXO.com ka shkruar edhe për prishje tjera të rrugëve të asfaltuara.

http://kallxo.com/prishet-asfalti-pa-mbushur-24-ore/

http://kallxo.com/plasaritet-asfalti-shtruar-para-nje-muaji/

http://kallxo.com/cahet-dhe-deformohet-asfalti-i-rruges-ne-bivolak-te-vushtrrise/