Ankesa për Pronën e Marrë nga Komuna në Vitin 1953

Familja Islami nga Peja ankohet se në vitin 1953 komuna ia kishte marrë pa kompensim një pjesë të pronës, edhe pse gjykatat kanë marrë vendim që prona është komunale.

Në vitin 1953 Komuna e Pejës ua kishte marrë pronat 34 familjeve, ndërsa në këto prona ishte ndërtuar Ura e Gurit dhe rruga Pejë-Gjakovë.

Feti Islami thotë për KALLXO.com se atëherë sipas tij padrejtësisht u regjistrua si pronë komunale edhe pjesa e saj që nuk u shpronësua.

“Kanë bërë regjistrimin e punës time dhe të axhës tim për të cilën nuk ka pasur akt juridik për shpronësim në vitin 1953 kur është ndërtu ura dhe rruga dhe pjesët e pronës të cilët kanë mbetur pas shpronësimit të axhëve të mi, faktikisht edhe ato i kanë regjistruar si prona komunale pa kurrfarë akti juridik,” thotë Islami.

Islami tregon se çështja e kësaj prone u hesht nga komuna deri në vitin 1995, kur familja Islami filloi betejën ligjore për kthimin e pronës së pretenduar.

Sipas Islamit, në vitin 2001 gjykata vendosi t’ia kthejë pronën familjes, por pas ankesës së komunës instancat gjyqësore pronën me vendimet e tyre ia kthyen komunës.

Drejtori për çështje pronësore në Komunën e Pejës, Edmond Shala tha për KALLXO.com se prona për të cilën ankohet familja Islami që nga viti 1953 është pronë komunale.

Shala thotë se kjo familje ka zgjedhur gjykatat për ta zgjidhur çështjen e pronës, ndërsa sipas tij institucionet gjyqësore nga themelorja deri te supremja e kushtetuesja i kanë dhënë të drejtë komunës në këtë kontest.

“Ky personi vetë e ka zgjedhur gjykatën, e ka ndjekur gjykatën dhe i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i jep ligji i Kosovës për mu anku në shkallëshmëritë e gjykatës. Të gjitha shkallët e gjykatës e kanë japë vendiktin që është e pabazuar kërkesa që kërkon ky(Feti Islami),” tha Shala.