Ankesa për Kontejnerët e Mbeturinave të Vendosur në Trotuar

Ata përveç që po pamundësojnë qarkullimin e qytetarëve, po ndotin edhe ambientin pranë objektit të shëndetësisë në ketë komunë.

Tahir Bajraktari, qytetar nga Klina dhe punëtor i shëndetësisë, ankohet për KALLXO.com se kontejnerët nuk janë vendosur në vendin adekuat. Ai thotë së kundërmimi nga mbeturinat dhe djegia e tyre paraqesin shqetësim për shëndetin e qytetarëve.

“Veç po shihni që ka tym këtu dhe janë të djegur kontejnerët, digjen gjësendet, vjen edhe erë shumë e rëndë dhe ndotet ajri. Këtu kalojnë edhe nxënësit, kalojnë edhe qytetarët e rastit, është frekuentimi i njerëzve mjaft i madh këtu dhe mund të vijmë te ndonjë te ndonjë sëmundje”, tha Bajraktari.

Sipas tij, QKMF-ja ka kontejnerët e vet të mbeturinave brenda hapësirave të saj, kurse kontejnerët e vendosur në trotuar shfrytëzohen nga banorët përreth.

Bajraktari thotë se nuk është vendi i duhur vendosja e tyre në trotuar dhe afër objektit të shëndetësisë. Ai u sugjeroi autoriteteve komunale që të sigurojnë lokacion tjetër për vendosjen kontejnerëve.

“Këta kontejnerë nuk e kanë vendin këtu. Kish me qenë mirë komuna me ju gjetë vendin pak ma të mirë ma adekuat”, thotë tahir Bajraktari.

Zyrtarë të komunës së Klinës dhe të kompanisë së mbeturinave “Ambienti” nuk deshën të flasin për KALLXO.com për këtë çështje, ndërsa drejtori i Inspeksionit në komunën e Klinës, Kolë Prekaj., tha se inspektorët do të dalin së shpejti në teren për ta parë situatën.