Ankesa për Cenim Prone nga Projekti i Lumbardhit

Muhamet Juka ka raportuar në KALLXO.com se po i cenohet prona nga projekti për rregullimin e shëtitores dhe shtratit të Lumbardhit.

Ai thotë se nuk u beson matjeve të Kadastrës së Pejës, pasi pikat në pronën e tij kanë dalë aty ku nuk kanë qenë më herët.

“Po na cenohet prona, nuk i kanë marrë masat qysh duhet, në bazë të neve qysh i dimë na kufijtë në prona tona. Ata s’po i pranojnë ato, janë ardhë në bazë të dronit, janë bazuar në dronë, i kanë marrë pikat edhe i kanë vendosur do shenja”, tha Juka për KALLXO.com .

Ai tregon se nëse konstatohet se i është cenuar prona nuk do pranojë kompensim nga komuna.

Por Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunën e Pejës thotë se në 500 metrat e para të projektit për rregullimin e shëtitores dhe shtratit të Lumbardhit pranë Patrikanës së Pejës nuk po cenohet asnjë pronë.

“Unë kam qenë personalisht edhe në terren së bashku me  kryetarin, pas supozimit të tij(Muhamet Jukës). Ne e kemi dërguar kadastrën edhe është bërë incizimi gjeodezik. Sipas incizimit gjeodezik në 500 metrat e para të këtij projekti asnjë pronë nuk e rrezikon dhe nuk e prek pronën private-ndërtimi i shëtitores  ose i murit të Lumbardhit,” tha Abazaj.

Kontrata për projektin e rregullimit të shëtitores dhe shtratit të Lumbardhit u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa drejtori Abazaj tregon se si do të duket lumi i Pejës pas këtij projekti.

“Është rreth 1100 metra që do të jetë në të dyja anët, ndërtimi i murit, kubëzim, heqje e kanalizimeve, ndriçim dhe ndërtimi i shëtitores. Në total është rreth 900 mijë euro projekt faza e parë,” tha Abazaj.

Sipas Abazajt, ky projekt është ndër me të rëndësishmit në Komunën e Pejës, ndërsa pritet të përfundojë deri në muajin gusht të këtij viti.

KALLXO.com dhe Gazetat Jeta në Kosovë kishin raportuar disa herë për maratonën e shkeljeve gjatë procedurave të prokurimit në tenderin për rregullimin e shtratit dhe shëtitores së Lumbardhit.

Maratonë Shkeljesh në Tenderin për Lumbardhin në Pejë

http://kallxo.com/merr-fund-maratona-e-tenderit-per-shtratin-e-lumbardhit/