Ankesa në Komision për Buxhetin e RTK-së

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka pritur sot në takim bordin e Radio- Televizionit të Kosovës dhe drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala, për të dëgjuar raportin vjetor të RTK-së.

Kryetarja e bordit të RTK-së u ankua duke thënë se sfidat me të cilat po përballohet RTK-ja janë të mëdha.

“Mosmiratimi i ligjit të RTK-së po shkakton probleme, pasi që ne si RTK nuk e dimë se sa e kemi buxhetin për vitin 2018. Problem tjetër është edhe mosdefinimi i pronës së RTK-së, digjitalizimi i RTK-së si dhe digjitalizimi i arkivës”, tha në mes tjerash kryetarja e bordit, Afërdita Maliqi.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala tha se pavarësisht problemeve që i ka pasur RTK në 2016, e ka përfunduar vitin së është më së miri.

Sipas tij RTK prin për besueshmëri dhe shikueshmëri.

“Vazhdojmë me qenë të parët për shikueshmëri e besueshmëri. Unë jam shumë i kënaqur me besueshmërinë, pavarësisht se financiarisht jemi keq, qysh kemi qenë gjithmonë. Na tash jemi pa financim, na tash jem nën mëshiren e institucioneve se sa pare do të ia japin RKT-së”, tha Shala para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Shalës, arkiva e televizionit të Prishtinës është duke rrezikuar të humbet për shkak të mosdigjitalizimit të saj.

Me këtë u pajtua kryetari i Komisionit, Nait Hasani që tha se duhet reaguar sa më shpejt për çështjen e digjitalizimit të arkivës.

Ndërsa sa i përket çështjes së definimit të pronës së RTK-së, Hasani tha se kjo është e zgjidhshme nëse ka vullnet nga dyja palët.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina tha se RTK-ja është institucioni që më se keqi e qeverisë paranë publike.

“Unë nuk e fajësoj më bordin e menaxhmetin e RTK-së për keqmenaxhim, por tash e fajësoj Kuvendin sepse ne jemi ‘pronarë’ të RTK-së. RTK është institucioni që më së keqti e menaxhon paranë publike. Ne nuk dimë se çka bëni ju me para publike”, tha në mes tjerash deputetja Pantina.

Pas një debati mes Pantinës dhe Mentor Shalës, përfaqësuesit e Vetëvendosjes në komision e lëshuan mbledhjen.

Deputeti Hasani ka garantuar bordin e RTK-së dhe drejtorin se ata do të marrin buxhetin për vitin 2018, ashtu qysh e kanë marrë gjithmonë.