Ankaraja ua Tërheq Vërejtjen Kurdëve në Irak

Turqia ua ka tërhequr vërejtjen kurdëve në rajonet autonome në Irak se do të paguajnë një çmim të lartë, për shkak të këmbënguljes që më vonë gjatë këtij muaji të organizojnë referendumin për pavarësi.

Në komunikatën e lëshuar sot nga Ministria e Jashtme e Turqisë gjithashtu u mirëprit votimi në Parlamentin e Irakut, i cili e cilësoi si të paligjshëm referendumin e kurdëve, i cili zhvillohet më 25 shtator.

“Rajoni kurd duhet të jetë i vetëdijshëm se duhet të paguaj një çmim, për shkak të këmbënguljes që të zhvillohet referendumi për pavarësi, përkundër këshillave tona miqësore”, u theksua në komunikatën e Ankarasë zyrtare, shkruan rtv21.tv.

Në komunikatë u theksua se janë tejet alarmuese deklaratat emocionuese të udhëheqësve kurdë në favor të pavarësisë.

Turqia, e cila ka një komunitet të madh kurd në juglindje të vendit dhe e cila po lufton kryengritësit kurdë, megjithatë ka vendosur marrëdhënie të ngushta me rajonet autonome kurde në Irak, por kundërshton shtetin e pavarur kurd.

Kurdët planifikojnë që më 25 shtator të zhvillojnë referendumin në tri rajone që formojnë Kurdistanin e Irakut, por edhe në rajonet tjera të kontestuara, me popullatë shumicë kurde.

Kurdistani është rajon në veri të Irakut dhe gëzon autonomi që nga viti 1991.

Fitorja në referendum nuk nënkupton se rajonet kurde do të pavarësohen menjëherë, pasi që referendumi nuk ka fuqi ligjore.

Megjithatë, autoritetet kurde kanë theksuar se referendumin do ta shfrytëzojnë si mjet për të ushtruar trysni ndaj qeverisë në Bagdad që të hyjë në bisedime dhe të zyrtarizojë aspiratat e kurdëve për pavarësi.

Zona autonome e kurdëve përbën rreth 10 për qind të territorit të përgjithshëm të Irakut dhe ka rreth 3 milionë banorë. /21Media