Foto-ilustrim | KALLXO.com

Anglishtja dhe Teknologjia Para Shqipes

Testi i Arritshmërisë tregoi se nxënësit më mirë e njohin anglishten dhe teknologjinë informative sesa shqipen.

33 mijë e 440 nxënës që i janë nënshtruar Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta janë treguar më të aftë në anglisht dhe informatikë duke e lënë mbrapa gjuhën e tyre amtare.

NDËRLIDHUR

Sipas Ministrisë së Arsimit, rezultati në gjuhën shqipe ishte 64.7 për qind, ndërsa në anglisht 77.9 dhe informatikë 72.9.

Për shefin e Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik Ardian Gola, këto rezultate tregojnë pragmatizmin social të shoqërisë sonë.

“Përvetësimi i njohurive nga këto dy fusha është bërë kyç për ndërtimin dhe avancimin e karrierës personale. Për këtë, po ashtu, ekziston edhe një trysni sociale,” tha ai.

Sipas tij në rezultate të mira për teknologji e gjuhë angleze këtë ndikon edhe fakti së fëmijët bëhen pjesë e kurseve private dhe ekstrakurrikulave në këto dy fusha gjatë zhvillimit të tyre të hershëm.

“Lojërat virtuale në të cilat duket se rinia është mjaft e përfshirë, interneti i cili tashmë është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë individuale dhe shoqërore, e po ashtu edhe smartfonët, kompjuterët etj. Të gjitha këto mund të ndikojnë që rinia të ketë një epërsi në përvetësimin e njohurive në këto dy fusha,” tha sociologu Gola.

Mirëpo sipas tij arsyeja kryesore mbetet trysnia sociale që ata të kenë njohuri për këto dy fusha.

“Ata janë nën trysninë sociale t’i përsosin njohuritë nga gjuha angleze dhe teknologjia informative kryesisht për shkaqe praktike që lidhen me ardhmërinë e tyre. E kjo s’do mend që më pas shndërrohet në kulturë. Ajo tashmë veç është kulturë”, tha Gola.

Ai tha se përgjegjësia që gjuha shqipe të mësohet nga nxënësit dhe që ata të tregojnë rezultate më të larta në të u mbetet udhëheqësve.

“Qeveria dhe institucionet përkatëse kanë përgjegjësi që të hartojnë politika që sigurojnë dhe stimulojnë leximin e librave në gjuhën shqipe, ngase vetëm kështu mund të ruhet dhe avancohet gjuha në përputhje me zhvillimet globale, mbi të gjitha ato në teknologjinë e informacionit,”sugjeroi Gola kur foli për KALLXO.com

Testi i Arritshmërisë këtë vit është mbajtur me 21 maj kurse sipas rezultateve 64.7 për qind të nxënësve të klasave të nënta e kanë kaluar atë.

Arritshmëria e Nxënësve 64.7 Për Qind

Kurse nxënësit e komunës së Gjilanit, Dragashit dhe Hanit të Elezit do ta përsërisin testin më 8 qershor.

Kjo sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ndodhur për shkak se grupi i ekspertëve të Divizionit për Standarde, Vlerësim dhe Monitorim i Ministrisë i ka vlerëson joreale dhe jo të besueshme rezultatet.

Anulohen Testet e Arritshmërisë në Tri Komuna

Pas këtij vendimi ka reaguar komuna e Gjilanit e cila e ka konsideruar vendimin e ministrisë të paargumentuar.

Gjilani Reagon Ndaj Anulimit të Testit

Sipas një vrojtimi të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-i në mars 2015, femrat kosovare e përdorin më shumë kompjuterin (94%) sesa meshkujt (93%). Në këtë anketë kanë qenë të përfshirë njerëzit nga mosha 15 deri në 24 vjeç.

01 Qershor 2016 - 13:01

Alberina Haxhijaj 01/06/2016 - 13:01
NDËRVEPRIMI0

Anglishtja dhe Teknologjia Para Shqipes

by Kallxo
NA NDIQNI