Gjykimi i mjekëve të Klinikës "Medicus" | Foto: KALLXO.com

Anesteziologu Thotë se në ‘Medicus’ u Hoqën Veshka

Anesteziologu Sylejman Dulla tha se në Klinikën Medicus janë hequr veshka, por këtë e lidhi me sëmundjet që kishin pacientët.

Anesteziologu Sylejman Dulla ishte dëshmitar i radhës në gjykimin e mjekëve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.

NDËRLIDHUR

Sylejma Dulla së bashku me anesteziologun tjetër Islam Bytyqi më parë janë dënuar nga Gjykata Themelore me nga një vit burgim me kusht për veprën penale lëndim i rëndë trupor, por më pas janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Apelit.

Gjatë dëshmisë së tij anesteziologu Sylejman Dulla tha se në klinikën “Medicus” kishte punuar që nga viti 2002 e deri në vitin 2008 kur edhe ishte mbyllur klinika.

“Kur kam punuar unë kam qenë asistent i dr.Sokolit, kur unë nuk kam punuar atëherë ka qenë Islam Bytyqi, zakonisht dy anesteziologë kemi punuar bashkë” tha Dulla.

Në lidhje me operacionet që do të kryheshin dëshmitari deklaroi se e informonte Sokol Hajdini, diku dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta para se të fillonin ato.

“Për një operacion më duheshin dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta ta përgatisja sallën dhe nuk ka pasur nevojë që të lajmërohem më herët, me natyrën e operacionit që do të kryhej më njoftonte dr.Hajdini”, deklaroi dëshmitari.

Ndër të tjera ai përmendi edhe emrat e doktorëve me të cilët tha se ka punuar në klinikën “Medicus”.

Në katin përdhes kanë punuar doktorët Lutfi Dërvishi e Tunë Përvorfi, kurse në katin e parë doktorët Yusuf Sonmez, Kenan Demirkol si dhe Driton Jilta, tregoi dëshmitari.

Për vete tha se ka marrë pjesë në operacione të cilat kanë qenë të drejtuara nga Yusuf Sonmez si dhe doktorët Kenan Demirkol e Driton Jilta.

Prokurorja Valeria Bolici kërkoi të dinte nga dëshmitari nëse në këto operacione kishte marrë pjesë edhe dr.Dervishi, gjë për të cilën dëshmitari tha se nuk e mban në mend.

Më pas ajo e ballafaqoi atë me deklaratën e tij të dhënë në prokurori ku anesteziologu Dulla kishte deklaruar të kundërtën.

“Në deklaratën tuaj të dhënë më herët pranë prokurorit, kur jeni pyetur se kush ka marrë pjesë në operacione, ju keni thënë: dr.Yusufi, dr.Lutfiu dhe dr.Dritoni dhe nuk e mbaj në mend nëse ka pasur të tjerë, më pas kur jeni pyetur nëse ju keni marrë pjesë në operacione ju jeni përgjigjur: Po, unë kam asistuar gjatë operimeve kur po operonin dr.Lutfi dhe dr.Yusufi. A e konfirmoni ju ketë fakt”, e pyeti ajo.

Kurse dëshmitari tha se ndoshta edhe mund të ketë marrë pjesë por për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar mund ta ketë harruar këtë fakt.

“Ndoshta ka ardhur kur është thirrur nga ndokush për shkak të ndonjë komplikimi, mund edhe të kem harruar për shkak se është periudhë prej 10 viteve”, deklaroi ai.

Kurse për operacionet që janë kryer tha se kanë qenë të natyrës urologjike.

I pyetur nga prokurorja nëse gjatë kryerjes së këtyre operacioneve pacienteve u janë hequr veshka, dëshmitari tha se ka pasur raste kur janë hequr veshkat për shkak të sëmundjes që pacientet mund të kenë pasur.

“Është normale kur është një tumor, atëherë pacientët vendosin që ta heqin apo jo veshkën, ato zakonisht i heqin për shkak të patologjisë”, deklaroi dëshmitari.

Tutje prokurorja kërkoi të dinte nga dëshmitari se sa zgjat një operacion në të cilin bëhet heqja e veshkave.

Ndërsa dëshmitari deklaroi se mund të zgjasë prej një e deri në tre orë varësisht nga sëmundja që pacienti mund të ketë.

“Nuk ka orë të caktuar, varet, një orë e gjysmë-dy-tri varësisht nga patologjia”, tha ai.

Ai u pyet edhe në lidhje me operacionin e fundit që ishte kryer në klinikë para se ajo të mbyllej, por dëshmitari tha se nuk i kujtohej ai operacion pasi që ka kaluar një kohë e gjatë që nga ajo kohë.

Meqë dëshmitarit shumë nga deklaratat e tij të dhëna më herët nuk i kujtoheshin, prokurorja shumicën e kohës e ballafaqonte atë me deklaratat e tij të dhëna më herët, ndërsa dëshmitari më pas deklaronte se nëse atëherë ka thënë ashtu, ashtu mundet të jetë edhe tani.

Ai u deklarua edhe rreth pacientit të fundit që ishte operuar aty dhe tha se qëndron pranë deklaratës së tij të dhënë më herët.

Në lidhje me nacionalitetin e pacientëve të cilët u ishin nënshtruar operacioneve për heqjen e veshkave tha se ata kishin qenë të huaj.

Më pas prokurorja kërkoi nga dëshmitari të dinte nëse ai kishte qenë në dijeni se pasi që pacienteve u largoheshin veshkat ato u vendoseshin pacienteve të tjerë.

“A keni qenë në dijeni se organet e larguara nga një pacient janë vendosur në pacientin tjetër”, pyeti prokurorja.

Por dëshmitari tha se nuk kishte qenë në dijeni për një gjë të tillë.

E më pas prokurorja prapë e ballafaqoi dëshmitarin me një pjesë të deklaratës së tij të dhënë më herët ku ai kishte thënë se kishte qenë në dijeni se veshkat e hequra nga pacientët më pas i vendoseshin dikujt tjetër.

Pas kësaj dëshmitari tha se mund të ketë qenë ashtu nëse atëherë ka deklaruar ashtu.

Kurse avokati Ramë Gashi, mbrojtësi i Sokol Hajdinit e pyeti dëshmitarin në rastet kur ka munguar dr.Sokol Hajdini kush ka punuar si anesteziolog.

Gjë për të cilën dëshmitari tha se në operacionet që janë bërë në katin përdhes ai ka punuar si anesteziolog.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

10 Janar 2018 - 16:32

Blerta Iberdemaj 10/01/2018 - 16:32
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight