Nga takimi në Bruksel më 1 shkurt

Analistët: Retorika Nacionaliste Mund ta Përsërisë Marsin 2004

Për analistët politikë e ushtarakë vazhdimi i retorikës nacionaliste të liderëve të Serbisë e Kosovës mund të çojë këto dy vende përsëri në një luftë tjetër, gati 18 vjet pasi përfundoi lufta e viteve 1998-1999.

Eksperti për çështje ushtarake Shemsedin Hajdari tha për KALLXO.com se rreziku përshkallëzim të gjendjes ekziston, megjithëse provokimet nga Serbia i konsideroi më shumë për nevoja elektorale të politikanëve të saj.

“Sa i përket rrezikut duhet të dimë se rreziku gjithmonë ekziston, mirëpo këto më tepër janë lojëra të politikës serbe para zgjedhjeve në Serbi që të mbajnë në tension të lartë politikën e serbëve”, deklaroi Hajdari.

Serbia në fillim të dhjetorit 2016 filloi ndërtimin e murit në veri, ndërsa më 14 janar, e nisi nga Beogradi drejt Mitrovicës një tren me simbole nacionaliste i cili megjithatë u ndal dhe u kthye mbrapsht në Rashkë, pasi autoritetet kosovare shprehën gatishmëri ta ndalin.

Analisti Belul Beqaj tha se provokimet, tensionet dhe gjuha e ashpër mund të rikthehen përsëri kur të hapet çështja Asociacionit të Komunave Serbe.

“Krejt kjo duhet të ketë një epilog ngase provokimet nuk kanë qenë të rastit. Mendoj se  ngjarja kryesore do të zhvillohet rreth asociacionit dhe ky do të jetë shkasi që do të instrumentalizojë  Serbia maksimalisht për të  trazuar gjendjen në stilin e marsit 2004”, deklaroi Beqaj.

Ndërtimin e murit dhe nisjen e trenit analisti ushtarak Hasani e konsideron matje të pulsit të Kosovës nga Serbia.

“Ishte për t’u bërë matja e pulsit se si organet tona shtetërore, policore apo ushtarake reagojnë në vendin dhe momentin e duhur”, tha Hajdari.

Këto zhvillime nxitën ashpërsim fjalori nga liderët serbë e kosovarë, ndërsa më i zëshnmi nga kosovarët ishte Presidenti Thaçi që ia atribuoi veprimeve të veta ndalimin e trenit me simbole nacionaliste serbe.

Analisti Belul Beqaj thotë se për tjera qëllime retorikën nacionaliste e përdorin liderët e Serbisë e për krejt tjera Presidenti i Kosovës.

“Serbia ka një lidership nacionalist autoritar dhe është para zgjedhjeve, ata kanë simuluar europionaizëm sa për t’i marrë rreth 5 miliardë për rreth 15 vjet dhe e përdorin këtë retorikë nacionalistë meqë Serbia kurrë s’është dekontaminuar nga nacionalizimi, kjo “dhezë” si propagandë  fitimprurëse të zgjedhjeve presidenciale. Në anën tjetër, retorika  e kryetarit Thaçi ka motive tjera. Ai në të njëjtën kohë po u vardiset qytetarëve të Kosovës, por më shumë ndërkombëtarëve duke dëshmuar se çdo gjë varet nga ai”, tha Beqaj për KALLXO.com.

Ngritja e tensioneve mes dy shteteve shtyu BE-në të organizojë dy takime të njëpasnjëshme për ulje tensionesh dhe solli edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Prishtinë.

“Mos të merremi me retorikë, na duhet dialog që t’i shmangim incidentet. Nëse spekulojmë për ndonjë mundësi, vetëm sa e bëjmë situatën më të vështirë. Të mos e përdorim retorikën e cila mund ta tensionojë situatën”, tha shefi i NATO-s Jens Stoltenberg të premten kur i kërkua të komentojë deklaratën e  Presidentit Hashim Thaçi se “plani i Serbisë është aneksimi i veriut të Kosovës, njëjtë sikur aneksimi i Krimesë nga Rusia”.

http://kallxo.com/nato-denon-retoriken-prishtine-beograd-kerkon-ulje-te-tensioneve/

Pas takimeve në Bruksel dhe ardhjes së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s u arrit marrëveshja mes autoriteteve qendrore dhe lokale për rrënimin e murit të ndërtuar në Mitrovicën Veriore dhe duket se tensionet kanë rënë dhe deklaratat e liderëve të të dy vendeve janë më të matura.

http://kallxo.com/muri-ne-mitrovice-rrethohet-llamarina/