Pamje nga prezantimi i draft-raportit të Komisionit për Matjen e Territorit - Foto: ZKM

Analistët: Puna e Komisionit e Thellon Problemin e Demarkacionit

Deputetë të partive opozitare dhe analistë konsiderojnë që Komisioni i Ekspertëve për Matjen e Territorit është vetëm përpjekje për të rikonfirmuar qëndrimin e Qeverisë dhe se puna e tij nuk e zgjidh por, përkundrazi, e thellon problemin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Analistja Besa Luzha tha për KALLXO.com se tentimi për të rikonfirmuar atë që është thënë është përpjekje që nuk e zgjidh problemin.

“Puna e këtij Komisioni më duket joserioze. Është tentativë për të rikonfirmuar shifrat e mëparshme. Nuk mundet me u mat territori nëse nuk i kemi të përcaktuara vijat. E problemi ynë është pikërisht me vijat (kufitare)”, tha ajo.

Megjithatë, Luzha vlerëson se Marrëveshja për Demarkacionin duhet të votohet ani se beson që ajo nuk do të kalojë.

“Mendoj që ky version nuk ka me kalu. Por, Marrëveshja duhet të votohet ngase jo për gjithçka që shkon në Kuvend duhet të votohet për. Kjo e çliron edhe Qeverinë, pavarësisht rezultatit të votimit”, tha Luzha.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, këtë Komision e cilëson marionetë të kryeministrit Isa Mustafa.

“Komisioni për detyrë ka pasur legjitimimin e planeve të tij, për sakatosjen e territorit të Kosovës. Ata kanë qenë argatë të Isa Mustafës dhe e kanë kryer argatllëkun e tyre”, ka shkruar Lekaj në profilin e tij në “Facebook”.

“Ata janë kontraktuar për një punë të pistë dhe prandaj e kanë prodhuar një rezultat te pistë”, ka shtuar ai.

Në një intervistë për KALLXO.com, deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi e ka quajtur joserioz Komisionin për Matjen e Territorit.

http://kallxo.com/bulliqi-komisioni-per-matjen-e-territorit-joserioz/

E deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se partia e saj e ka ditur që në fillim rezultatin.

“Mënyra se si u krijua ky Komision, anëtarët që u zgjodhën, konkretisht kreu i këtij Komisioni, Hivzi Islami, një servil e njeri i nënshtruar karshi (Isa) Mustafës, flasin më së miri për të vërtetat e këtij Komisioni”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Sipas saj është e turpshme dhe e dhimbshme të tentohet manipulimi me opinionin publik dhe të thuhet se Çakorri është jashtë territorit të Kosovës.

“Zellit për të falur territor ne do t’i përgjigjemi me kundërshtim, përbrenda dhe jashtë Kuvendit. Qeveria, prej kohësh, zgjidhjen e kësaj çështje e ka pasur para duarve. Injorimi i kërkesave qytetare dhe opozitare do të prodhojë tensione të reja, për të cilat do mbahet vetë përgjegjëse”, ka shtuar deputetja e VV-së.

Komisioni i ekspertëve për Matjen e Territorit shpalosi sot draft-raportin e tij, me të cilin rikonfirmon se Kosova nuk ka humbur territor.

Kryesuesi i Komisionit, akademik Hivzi Islami tha se sipas matjes territori i Kosovës është 10,905.25 kilometra katrorë.

http://kallxo.com/komisioni-cakorri-jashte-republikes/