Analistët: Për BE-në, Vuçiq një Partner Shumë i Rëndësishëm

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në kompaninë “Pestova”, të hënën, ironizoi me fitoren e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, duke thënë se ajo “nuk do të ndikojë në prodhimin e patateve”, analistët kosovarë theksojnë se fitorja e thellë e kryeministrit serb përkthehet në përkrahje më të madhe të Perëndimit për të.

“Pas fitores së thellë të Vuçiqit, ajo përqindje e votave ia siguron të qenurit lider i pakontestueshëm dhe besoj se vetëm sa e forcon atë në pozitën e një dialoguesi shumë serioz nga ana e Serbisë, i cili do të dialogojë me Thaçin, si president i Kosovës. Si garantues i dialogut, Vuçiqi ka me pasë përkrahje të madhe nga Perëndimi për t’i çuar çështjet përpara”, tha për KALLXO.com analisti Imer Mushkolaj.

Me kalimin e këtij dialogu në nivel presidentësh, sipas Mushkolajt roli i Qeverisë nuk do të jetë i madh.

“Nëse veç kalon në nivel presidentësh, e që unë besoj se do të kalojë, atëherë rolin e Qeverisë nuk e shoh shumë të madh. Mirëpo, natyrisht, se e shoh të rëndësishëm në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve. Nëse Thaçi dhe Vuçiqi merren vesh për çkado qoftë, prapë se prapë Qeveria duhet me i zbatu ato marrëveshje”, tha ai.

Ai ka shtuar se roli i Kuvendit duhet të rritet në mënyrë që të mund të caktojë agjendat dhe të kërkojë nga presidenti që të raporton mbi procesin e dialogut.

Kuvendi i Kosovës gjatë muajit të kaluar kishte miratuar një rezolutë ku kërkonte lirimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që po mbahet në Francë në bazë të një fletarresti serb dhe pezullimin e dialogut deri në lirimin e tij.

http://kallxo.com/kuvendi-miratoi-rezoluten-per-haradinajn-2/

Ndërsa, analistja Besa Luzha tha për KALLXO.com se pala kosovare nuk duhet t’u kthehet bisedimeve pa arritur një konsensus se për çka duhet biseduar.

“Mendoj që ne jemi në një situatë delikate sepse Kuvendi ka votuar rezolutën me të cilën e ka ndalu njëherë dialogun. E mendimi im është që nëse fillon dialogu përsëri, në çfarëdo formati, duhet një rezolutë e re, një autorizim i ri për negociata”, tha ajo.

Luzha nuk e sheh të udhës të niste një dialog i ri pa u arritur konsensus mes pozitës dhe opozitës se për çka duhet bisedohet e për çka jo.

Sipas saj, Vuçiqit tani i mbetet të zgjedhë nëse do të rreshtohet nga Perëndimi apo nga Rusia.

“Varet nga identiteti i tij i vërtetë sepse ai herë është paraqitur si proevropian e herë i është nënshtru ndikimit rus. Tash ai duhet të zgjedhë përfundimisht. Nëse është i tillë çfarë presin miqtë e tij, sidomos Gjermania, zonja Merkel, atëherë Vuçiq mundet me pasë ndikim shumë pozitiv, por nëse ai nuk është në realitet i tillë dhe dëshiron të qëndrojë në taborët e dy frontet, edhe me Perëndimin edhe me Rusinë, atëherë është problem”, tha ndër të tjera Luzha.

Ndërsa sipas analistit Mushkolaj, BE-ja e sheh Vuçiqin si garant të paqes në rajon.

“Bashkimi Europian Vuçiqin e sheh si një partner shumë të rëndësishëm dhe si një garant për paqe në rajon. Kështu që ai do ta ketë gjithë përkrahjen e Bashkimit Europian por krahas saj, ai duhet që t’i realizojë disa hapa të rëndësishëm, sidomos ato që kanë të bëjnë me shtetin e Kosovës. Unë pres që të zgjidhen shumë çështje që kanë të bëjnë me Kosovën”, tha ai për KALLXO.com.

Në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, që u mbajtën të dielën, Aleksandar Vuçiq fitoi bindshëm që në raundin e parë, duke i mposhtur dhjetë kandidatët e tjerë.

http://kallxo.com/vuciq-fiton-zgjedhjet-presidenciale-serbe/