Pamje nga Skenderaj | Foto: Atdhe Mulla

Analistët: PDK-së do t’i Hakmerret Tërheqja në Skenderaj

Partia Demokratike e Kosovës që nga paslufta kishte fituar dukshëm në komunat e Drenasit dhe Skenderajt, të cilat edhe janë cilësuar si bastione të saj.

Mirëpo kjo përshtypje u zbeh vitin e kaluar, kur në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunë të Drenasit, PDK-ja u detyrua që t’i hyjë dy herë garës për të marrë drejtimin e kësaj komune.

Balotazhi në Drenas ndodhi ngase kandidati i PDK-së për kryetar Ramiz Lladrovci nuk mori vota të mjaftueshme në raundin e parë, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të tyre e mori Isa Xhemajlaj i Nismës, kundërkandidati i Lladrovcit.

PDK-ja edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti do të garojë me Lladrovcin, i cili tash mund të mos e ketë as përkrahjen e vitit të kaluar.

Naim Bazaj, njëri nga ish-kandidatët për kryetar të Drenasit që më pas u tërhoq nga gara e vjetshme, tha dje për KALLXO.com se ai dhe ata që e mbështesin nuk do ta përkrahin kandidaturën e Lladrovcit.

Madje, Bazaj tha se beson që PDK nuk do të shënojë fitore në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

http://kallxo.com/bazaj-pdk-nuk-e-fiton-drenasin-nuk-e-ka-perkrahjen-time/

Edhe analisti Albinot Maloku tha për KALLXO.com se PDK-ja ka problem në degën e saj në Drenas.

“Dega e PDK-së në Drenas prej kohësh gjendet para situatave jo të mira e me pakënaqësi të mëdha. Këto pakënaqësi u shpërfaqën në zgjedhjet e parakohshme lokale, mirëpo zgjedhjet e 22 tetorit edhe mund te japin efektin kryesor, atë te fillimit të fazës kur kjo degë e kësaj partie do të fillojë të merret me veten. Situata aktuale nuk është aspak e volitshme për degën e partisë”, tha Maloku.

Ndërsa në Skenderaj PDK-ja ka vendosur të mos garojë me kandidat të saj për kryetar, pasi është përcaktuar të mbështesë Bekim Jasharin, djalin e heroit Hamëz Jashari që konkurron si i pavarur.

Analisti Imer Mushkolaj mosdaljen me kandidat të saj të PDK-së në Skenderaj e konsideron dorëzim të kësaj partie.

“PDK është tërhequr nga beteja, pa nisur lufta fare. Është dorëzim pa kushte. Marrë parasysh përçarjet dhe mospajtimet e strukturave partiake të PDK-së në Skenderaj, duket se zgjedhja më e mirë ka dalë të jetë përkrahja për Bekim Jasharin. Por, kjo do t’i hakmerret kësaj partie në të ardhmen. Ndërkaq, problemet do të vazhdojnë edhe në Drenas”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.

Edhe analisti Albinot Maloku konstatoi se një kandidat i PDK-së përballë Bekim Jasharit garën do ta bënte më interesante.

“Me prezantimin e kandidatit të PDK-së i cili do të ishte kundërpeshë e kandidatit të pavarur Bekim Jashari, ku ky i fundit duket të jetë fituesi edhe pa garë zgjedhore po qe nevoja, do t’i shërbente  edhe demokracisë edhe kualitetit të kërkuar për të parin e komunës. Ndryshe, edhe kandidati i pavarur Bekim Jashari do ta kishte më serioze garën”, tha Maloku për KALLXO.com.

Për Malokun PDK-ja do të dalë joserioze para elektoratit të saj për shkak të mungesës së kandidatit të saj për kryetar në Skenderaj.

“Mosprezantim të kandidatit për kryetar komune për Skenderajn nga ana e PDK-së, pavarësisht se mund të jetë vendim i konsideruar si i drejtë nga ana e lidershipit të kësaj partie, vlerësoj se është veprim aspak serioz, sidomos ndaj votuesve të cilët deri më tani e kanë parë PDK-në si alternativë”, tha Maloku.