Amnesty International Kritikon UNMIK-un për Vrasjen e Mon Balajt e Arben Xheladinit

Në dhjetëvjetorin e vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, Amnesty International kërkoi nga UNMIK që “të marrë masa të mëtejme për të siguruar se kryesit e vrasjeve do të sillen para drejtësisë”.

Më 10 shkurt 2007, në një demonstratë të organizuar nga Vetëvendosje, pjesëtarët e një njësiti të policisë rumune në kuadër të UNMIK-ut gjuajtën me plumba gome drejt turmës. Plumbat e gomës, afati i përdorimit të të cilëve kishte skaduar, vranë Balajn dhe Xheladinin dhe lënduan më shumë se 80 të tjerë.

Në një deklaratë të lëshuar nga Amnesty International sot shprehu keqardhje që familjet e viktimave “kanë kaluar 10 vjet duke pritur drejtësi”.

“Me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së tyre, Amnesty International i ka shkruar Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (shefit të UNMIK-ut) për të kërkuar nga UNMIK që të kërkojë falje publikisht për dështimin në mbrojtjen e jetëve të Mon Balajt e Arben Xheladinit, si dhe të të lënduarve, por edhe për dështimin në ofrimin e dëshmpërblimit për të ankuarit për dëmin që u është shkaktuar”, thuhet në deklaratën e AI.

Edhe pse UNMIK bëri një hetim të brendshëm në vitin 2007, i cili konkludoi se Balaj e Xheladini ishin vrarë me plumba gome me afat të skaduar përdorimi, palët përgjegjëse nuk janë identifikuar dhe nuk janë mbajtur përgjegjës asnjëherë. Lideri i lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, qe arrestuar nën dyshimet se kishte organizuar protestë e cila përbënte kërcënim për shpërthim të dhunës. Më vonë ai qe liruar.

Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut i OKB i themeluar në vitin 2006 për shqyrtimin e ankesave për shkelje të të drejtave të njeriut nga UNMIK e kishte shqyrtuar një ankesë të të afërmve të viktimave në vitin 2007.

http://kallxo.com/sipas-nje-hetimi-unmik-shkeli-te-drejtat-e-njeriut/

Paneli kishte ardhur në përfundim se “UNMIK ka dështuar që ta mbrojë të drejtën e viktimave për të jetuar” në bazë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Amnesty International, duke iu referuar këtij konkludimi, thotë se kjo përbën hapin e parë drejt vënies së drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.

Në dhjetëvjetorin e kësaj ngjarjeje, sot Vetëvendosje do t’i organizojë nja varg aktivitetesh.