Ambasadorja Turke Ndihmon Bizneset e Grave të Kosovës

Ambasadorja turke në Prishtinë, Kivilcim Kiliç, në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare të grave në Kosovë, ka organizuar në rezidencën e saj panairin e grave.

Me këtë rast, ambasadorja tha se gra nga komuna të ndryshme të Kosovës po e prezantojnë kulturën e Kosovës.

“Unë gjithmonë them dhe besoj që një shoqëri e fortë mund të jetë e tillë vetëm me gra të forta dhe në Kosovë kemi shumë gra të fuqishme. Dhe, me të gjitha këto gra jam e sigurt se Kosova do të ketë një të ardhme të ndritshme”, theksoi ajo.

Ndërsa, Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitim kishte ardhur sot për të përkrahur një organizatë joqeveritare nga Drenasi, e cila merret me promovimin e të drejtave të grave.

“Është një bashkiniciativë me ambasadoren turke. Ka qenë një periudhë e mëhershme kur kemi biseduar se si mundemi me i përkrah gratë në biznes dhe me i fuqizu në prodhimet e tyre. Bashkërisht ka lindur si ide, pastaj janë përzgjedhur organizatat të cilat punojnë punë dore. Dhe është bërë një panair për me i shpalos punën e dorës e të tjera me idenë që me i fuqizu pak me shitjen që mund të bëhet gjatë kësaj dite”, tha ajo.

Në këtë panair janë përfaqësuar edhe gratë që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Veprore Shehu, udhëheqëse e OJQ-së “Medica Kosova”, me seli në Gjakovë, e cila ndihmon gratë që kanë qenë viktima të dhunës gjatë luftës, tha se kjo është një mundësi e mirë për të bërë promovimin e punës.

Duke folur për punën e organizatës që ajo drejton, Shehu tha se deri më tani janë bërë edhe disa denoncime të dhunës seksuale ndaj grave në Kosovë.

“Kemi pesë dëshmitare që kanë denoncu dhunimet seksuale gjatë luftës. Ka qenë një proces mjaft i dhimbshëm por në të njëjtën kohë një kthesë historike për të kaluarën e dhimbshme të grave. Njëkohësisht ka qenë edhe një guxim i paparë i grave për të dokumentuar dhunimet seksuale pranë gjykatave kompetente, në Hagë, por edhe njësitin për krime lufte këtu”.

Të gjitha gratë e pranishme në këtë panair janë shprehur të kënaqura me kontributin e Presidentes Atifete Jahjaga në thyerjen e tabuve rreth kësaj teme, të cilën ajo e ka ngritur në nivel ndërkombëtar.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe Presidentja Jahjaga, ambasadori amerikan Greg Delawie, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, e gra nga institucione të ndryshme.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të zotimeve të ambasadores së Republikës së Turqisë për të ofruar mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës me anë të projekteve të shumta.