Ambasadori suedez, Henrik Nilsson - Foto: Rtv21

Ambasadori suedez flet për liberalizimin, Asociacionin dhe Ushtrinë

Ambasadori i Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, thotë se nuk është koha që të jepen parashikime për datën e mundshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas tij, Prishtina zyrtare i ka plotësuar të gjitha kriteret që Komisioni Europian ia ka përcaktuar për liberalizimin, përpos kriterit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në një intervistë për Rtv21, Nilsson tha se ndoshta nuk është shumë frytdhënëse të flitet për datën se kur do të ndodhë liberalizimi, por më mirë do të ishte fokusimi në plotësimin e kriterit të fundit nga Qeveria e Kosovës.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori suedez e ka cilësuar atë “proces jetik” për përafrimin e dy vendeve drejt BE-së.

Ai tha se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Lidhur me formimin e Ushtrisë së Kosovës, ambasadori Nilsson tha se lidershipi i vendit duhet të gjejë një konsensus.

“Transformimi i FSK-së duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. E themi këtë sepse e mendojmë se kjo është për të mirën e Kosovës. Duhet të ndërtohet mbi një konsensus të gjerë në shoqëri, i cili përfshin edhe komunitetin serb”, tha Henrik Nelsson. /21Media