Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu - Foto nga : Adnan Beci/LSA

Ambasadori i ShBA: Kryeprokurori Shqiptar, Armik i Reformës në Drejtësi

Ambasadori Donald Lu lëshoi një deklaratë tjetër të fortë në kuadër të Reformës në Drejtësi duke shënjestruar kryeprokurorin Adriatik Llalla si  një nga kundërshtarët e reformës.

Duke folur në një konferencë të titulluar “Ne populli: Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”, organizuar nga KRIIK Albania dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë që po zhvillohet sot në Tiranë, Lu deklaroi se kryeprokurori Adriatik Llalla duket se ka shkelur Kushtetutën e re të vendit që u miratua vitin e kaluar pasi në procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dërgoi për short tre kandidatë për tre poste, efektivisht duke paracaktuar fituesit.

“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës”, deklaroi Lu.

“Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre”, shtoi ambasadori.

Një zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për komente mbi deklaratën e Lu.

Prokuroria urdhëroi nëntorin e kaluar bllokimin e arkivit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) pasi hapi hetime me nismë të vet kundër kreut të këtij institucioni Shkëlqim Ganaj me argumentin se ka dyshime që ky i fundit ka shkelur ligjin pasi nuk ka hetuar në mënyrë administrative rastet e dyshuara të konfliktit të interesit të disa deputetëve që kanë kryer marrëdhënie biznesi me shtetin.

Ndërhyrja e pazakontë e Prokurorisë dhe kërkesa për të bllokuar të gjithë arkivin fizik dhe elektronik të ILDKPKI-së u pa si një përpjekje për të bllokuar përdorimin e këtij arkivi në procesin e pritshëm të vetingut. Arkivi i ILDKPKI mbart mijëra deklarata vjetore të pasurive dhe të të ardhurave që gjykatësit dhe prokurorët kanë plotësuar çdo vit që nga viti 2004. Ky arkiv do të jetë një nga burimet kryesore të vendimmarrjes së komisionit të vetingut për të parë pastërtinë e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve.

“Në nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterët e ILDKPI, të cilët janë thelbësorë për Vetingun”, deklaroi Lu.

Pas urdhrave të sekuestrove të prokurorisë, ILDKPKI iu drejtua gjykatave të cilat e rrëzuan Prokurorinë me argumentimin se në rast hetimi ndaj Ganajt, prokuroria mund të bllokojë dhe sekuestrojë vetëm deklaratat e zyrtarëve të rasteve të dyshuara për konflikt interesi por jo të gjithë arkivin.

Procesi i vetingut pritet të nisë fillimisht me drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat do të zëvendësojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pastërtia e drejtuesve të rinj të drejtësisë është me rëndësi kyçe pasi pikërisht këta do të jenë përgjegjës për funksionimin e sistemit në gjeneratën e ardhshme.