Ambasadori Lu në takim me gazetarët e paditur nga gjyqtari | Foto: Ambasada e Amerikës

Ambasadori Mbështet Gazetarët në Betejën me Gjyqtarin

Duke mbështetur lirinë e shprehjes në Shqipëri, ambasadori i SHBA-së Donald Lu u solidarizua me 4 gazetarë, të cilët përballen më një padi civile të iniciuar nga gjyqtari i apelit dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gjin Gjoni, me vlerë totale 82,000 euro.

Aleksandra Bogdani, Besar Likmeta nga Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Hulumtuese dhe Adriatik Doçi e Elton Qyno nga Shqiptarja.com, morën mbështetjen e ambasadorit Lu në përballjen ligjore me gjyqtarin Gjin Gjoni, për padinë e ngritur nga ky i fundit në Gjykatën e Tiranës.

Në një postim në faqen në Facebook të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Lu ndau një foto nga takimi me katër gazetarët me diçiturën “Beteja juaj, është beteja jonë” dhe me hashtagun “Nuk do të hiqja asnjë presje”.

Me pretendimin se raportimet mbi hetimet penale dhe vendimet gjyqësore përkatëse mbi pasurinë e tij familjare i kanë shkaktuar cenim të imazhit, dëm jomaterial dhe dhimbje e vuajtje shpirtërore, gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi ngritën një padi ndaj 4 gazetarëve dhe kërkojnë në total prej 11 milionë lekë (€82,000) dëmshpërblim.

Në një shkrim të mëparshëm, BIRN deklaroi se u qëndron shkrimeve të publikuara dhe se është i gatshëm të përballet në gjykatë me të gjitha pretendimet, duke e konsideruar padinë civile të ngritur nga gjyqtari si të pabazë.

Në seancën e parë të çështjes gjyqësore ndaj Shqptarja.com, Doçit dhe Qynos të mbajtur të enjten, gjyqtarja e çështjes Blerina Muça dha dorëheqjen për shkak të konfliktit të interesit.

Gjyqtarja tha se për shkak se njëri nga paditësit, Gjin Gjoni, është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe ish-gjyqtar i Gjykatës së Tiranës e ish-koleg i gjyqtares, ajo nuk mund të gjykonte çështjen.

Tani pritet që kërkesa e gjyqtares Blerina Muça t’i kalojë kryetarit të gjykatës ndërsa ky i fundit duhet t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë me kërkesën për të emëruar një gjyqtar pa konflikt interesi me palën paditëse, një procedurë që nuk dihet se sa do të zgjasë dhe për këtë arsye, gjyqtarja refuzoi të caktojë një datë për seancën pasardhëse.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni që ka autoritetin të delegojë një gjyqtar nga një gjykatë tjetër.

Gjoni, është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që nga viti 2013.

Seanca e parë e çështjes ndaj BIRN dhe gazetarëve Likmeta e Bogdani është caktuar më 5 korrik.

Marrë nga reporter.al