Presidenti Thaçi dekoroi me medaljen "Urdhri i Pavarësisë" ambasadorin Zalmay Khalilzad - Foto: Presidenca e Kosovës

Ambasadori Khalilzad Dekorohet me ‘Urdhrin e Pavarësisë’

Sipas presidentit Thaçi, ambasadori Khalilzad njihet në Kosovë si ambasador i presidentit Bush në Kombet e Bashkuara, si mbështetës i madh i aspiratës së popullit tonë për liri, barazi dhe drejtësi, në kohën kur Kosova përgatitej për të shpallur pavarësinë e saj.

“Ambasadori Khalilzad e kishte bërë Kosovën çështje kryesore të kryesimit të radhës së Këshillit të Sigurimit nga SHBA-ja. Edhe ai, sikurse presidenti Bush, tha se ‘enough is enough’ dhe se çështja e Kosovës nuk mund të zvarritej pafundësisht në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, mirënjohja që i ndahet sot është mirënjohje e popullit të Kosovës për angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi sipas një komunikate të Presidencës.

Ndërsa, ambasadori Khalilzad është shprehur i kënaqur që është kthyer në Kosovë pas 10 vjetësh dhe po i sheh të gjitha arritjet që ka bërë populli dhe lidershipi i Kosovës.

“Kosova është e pavarur dhe ka krijuar institucione të shkëlqyera. Është njohur si një shtet i pavarur nga shumica dërrmuese e anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare dhe ka një ekonomi që funksionon mirë. Kosova ka përparim të brendshëm në pajtimin ndëretnik, në marrëdhëniet me Serbinë, në dialogun, në qëndrimin e saj ndërkombëtar, më gjerësisht në aspiratat e saj për t’iu bashkuar BE-së dhe institucioneve tjera perëndimore”, citohet të ketë thënë ndër të tjera ambasadori Khalilzad.