Ambasadori Britanik Viziton Klinën

Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell ishte në Klinë për të parë fillimin e punimeve në rrugën të cilën po e bashkëfinancon Ambasada Britanike në Kosovë.

Projekti për asfaltimin e rrugës 400 metra deri te Manastiri i Budisalcit është financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe me vlerë prej 32 mijë euro dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim me 8 mijë euro. FSK-ja, do të bëjë rregullimin, trasimin dhe shtruarjen e rrugës me zhavorr, ndërsa firma e kontraktuar do ta bëjë asfaltimin e saj.

Komuna e Klinës ka njoftuar se O’Connell ishte në takim me Kryetarin e Komunës, Zenun Elezaj dhe është shprehur i kënaqur për bashkëpunimin me Komunën e Klinës.

“Puna e përbashkët është shumë e rëndësishme, sidomos kur ndihmojmë qytetarët”, tha Ambasadori.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj e ka njoftuar  Ambasadorin se dy problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen qytetarët është uji i pijshëm dhe ujërat e zeza.

“ Dy çështje sfiduese për pushtetin lokal për të cilat jemi duke punuar që nga marrja e detyrës, është furnizimi me ujë të pijshëm dhe trajtimi i ujërave të zeza. Do të hartojmë një studim fizibiliteti për trajtim të ujërave të zeza për të parë mundësinë e investimeve me buxhet të Komunës dhe donatorëve tjerë vendorë e ndërkombëtar”, tha Elezaj.