Ambasadori Britanik, Studentëve: Mos u Korruptoni!

Diplomati britanik e britanik e nisi ligjëratën e tij para studentëve të Fakultetit Juridik- gjykatësve, prokurorëve e avokatëve të ardhshëm me një porosi të thjeshtë: “Mos u korruptoni”.

I gjendur tash e dy vjet në një vend të cilin raportet ndërkombëtare e radhisin lart në ranglistë kur është fjala për prani të korrupsionit, sidomos në sistemin gjyqësor, O’Connell e elaboroi porosinë e tij që, në fillim, u duk e shkurtë dhe e thjeshtë.

“Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të juristëve. Është shumë shqetësues niveli i korrupsionit në Kosovë, gati e pabesueshme”, tha ai.

“Mos i qitni asnjë çmim vetes për të cilin mund të bliheni”, porositi ai.

Por ai tha se roli i tij dhe kolegëve tjerë diplomatë të huaj në Kosovë është i kufizuar për ta bërë që Kosova ta ketë një klasë më të përgjegjshme politike.

“Kurgjo s’kam bërë për ta fshirë klasën e korruptuar nga Kosova. Nuk është detyra ime të vendos kush do të jetë kryeministër e deputet në Kosovë. Ju i keni votat, ju keni pushtet ma shumë se unë këtu. Unë nuk kam pikë pushteti, kam vetëm zërin e Britanisë”, tha ambasadori britanik.

Ai rikujtoi se në shumë raste drejtësia dhe shërbimi korrektues në Kosovë u kanë shërbyer dëshirave të politikës.

Dhe për këtë ai përmendi rastin e kryetarit të komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.

“Le të flasim për rastin e z. Lushtaku që fatkeqësisht ai është lejuar nga shërbimi korrektues për të mos qëndruar në burg. Ai është lejuar të shkojë në spital, të qëndrojë pak aty dhe të shkojë në shtëpi. Kur parimet është shumë e lehtë, por kur flasim për raste specifike, nuk është gjithmonë njëjtë”, tha ai.

“Gjykatësit duhet të veprojnë vetëm sipas ligjit, me një paanshmëri deri në fund”, shtoi O’Connell.

Ai tha se Kosova ka problem me nepotizëm por kjo, sipas tij, nuk nënkupton që kosovarët janë më të korruptuar se të tjerët. “Është problem i sistemit që është krijuar pasluftës. Kosova nuk ka luftuar për pavarësi që të sundohet nga të tjerët”, tha ai.