Diplomatët e huaj kundër korrupsionit në Kosovë. Foto: Ambasada e ShBA.

Ambasadorët: Korrupsioni e Minon Shtetin

Kosova radhitet lart në ranglistat e organizatave ndërkombëtare sa i përket perceptimit dhe pranisë së korrupsionit në institucionet publike

Prandaj ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, bashkë me shefen e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, kërkuan më shumë llogaridhënie nga zyrtarët shtetërorë të Kosovës.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie tha se korrupsioni nuk është temë e re në Kosovë.

“Sondazhet kanë treguar se njerëzve në Kosovë ende u mungon besimi në korrektësinë e gjyqësorit të tyre”, tha Delawie.

Ndërsa ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets foli për korrupsionin në prokurimin publik.

“Prokurimi publik konsiderohet si nja fusha shumë e ndjeshme e korrupsionit. Për këtë arsye është me rëndësi që  të adresohet si problem derisa edhe keqpërdorimi i fuqisë për t’u korruptuar paraqet një rrezik dhe kjo dëmton drejtpërdrejt shërbimet zyrtare te qytetarët dhe dëmton paranë publike në përgjithësi”, tha ambasadorja gjermane.

I ashpër në këtë tëmë ishte edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell.

“Mos e pranoni, kurrë në çfarëdo niveli sepse do t’ua minojë të gjithë shtetin”, tha O’Connell.

Ai tha se prania e ambasadorëve në këtë konferencë tregon se shtetet e Quint-it janë të brengosura me nivelin e korrupsionit ”Por duhet më shumë energji dhe guxim prej qytetarëve, shoqërisë civile, mediave të bëhet një ndryshim në shoqëri”.

Ndërsa shefja e zyrës sa BE në Kosovë, Natalia Apostolova foli për rëndësinë e transparencës së partive politike, me theks të veçantë në publikimet e raporteve financiare, duke e konsideruar këtë kyçe në demokraci e llogaridhënie.

Java kundër korrupsion do të vazhdojë me aktivitete deri të premten më 9 dhjetor.