Ambasada Amerikane: Votuesit Kërkojnë Kandidatë të Panjollosur

Pasi KQZ-ja ktheu në garë kandidatët e decertifikuar duke zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, Ambasada amerikane në një deklaratë duke konstatuar se e kupton këtë vendim, shprehu keqardhje për të.

“Na vjen keq që rezultati i këtij vendimi zhbën punën e shkëlqyeshme të KQZ-së dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të zbatuar ndalesën e paraparë me Ligjin për Zgjedhje për moslejimin e kandidimit të kandidatëve të dënuar për vepër penale”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve decertifikoi më 12 shtator kandidatët e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit që kishin dënime të plotfuqishme nga gjykatat në tre vjetët e fundit.

Decertifikimi u bë në bazë të nenit 29, paragrafit 1 e pikës q të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, por sot KQZ-ja e tërhoqi këtë vendim, pasi Gjykata Supreme konstatoi se ky nen, ky paragraf e kjo pikë janë në kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës.

http://kallxo.com/supremja-kqz-ja-nuk-e-ka-te-drejten-e-decertifikimit/

Ky nen ua njeh të drejtën qytetarëve të Kosovës për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur, ndërsa përcakton që këto të drejta mund të hiqen vetëm me vendim të gjykatave.

Ambasada sugjeron që të korrigjohet çdo paqartësi në lidhje me decertifikimin para ciklit të ardhshëm zgjedhor.

“Ftojmë institucionet përkatëse shtetërore që të korrigjojnë çdo paqartësi ligjore lidhur më këtë dispozitë para ciklit të ardhshëm zgjedhor në Kosovë”, thuhët më tutje në deklaratë.

Deklarata përfundon me fjalët “besojmë që votuesit kërkojnë kandidatë të panjollosur nga krimi”.

Sot KALLXO.com shkroi për kthimin në garë të kandidatëve që më parë ishin decertifikuar, ndërsa një ekspert i të drejtës kushtetuese konstatoi se vendimi i Gjykatës Supreme është i drejtë.