Ambasada Amerikane Trajnon Stafin Mjekësor të Kosovës

 

Përfaqësues të certifikuar nga  Instituti i Mbrojtjes i Operacioneve Mjekësore po mbajnë ligjërata nga lëmia e menaxhimit të sistemeve shëndetësore dhe resurseve humane për 25 menaxherë dhe pjesëmarrës të përzgjedhur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK),  thuhet në njoftimin e këtij institucioni shëndetësor.

Shemsi Veseli, anëtar i bordit në detyrë të SHSKUK-së, tha se ndihma dhe përkrahja e Ambasadës Amerikane për QKUK ka qenë e vazhdueshme.

“Në të janë përfshirë 3 komponentë kyç, investimet në infrastrukturë në disa klinika në QKUK dhe pajisje mjekësore, përkrahje direkte për shërim pacientët tanë në Klinikën e Pediatrisë përmes profesionistëve shëndetësorë nga SHBA që kanë ndihmuar dhe mjekuar qindra fëmijë.  Poashtu, edhe edukimi i vazhdueshëm profesional, për çka edhe jemi mbledhur sot”, tha Veseli.

Sipas tij, kjo do të ndikojë në ngritjen profesionale të njohurive të profesionistëve shëndetësorë dhe njerëzve që direkt merren me menaxhim.

Majori Brian A. Devlin nga Zyra për Mbrojte dhe Bashkëpunim e cila vepron në kuadër të Ambasadës Amerikane, tha se seminari trajton çështjet themelore për ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe menaxherët.

“Qëllimi primar i këtij seminari është për të rritur aftësinë tuaj për të menaxhuar burimet e kujdesit shëndetësor,  të ju jap udhëzime për të punuar bashkërisht si partnerë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Njohuritë  e fituara  këtu, do ju ndihmojë si udhëheqës të kujdesit shëndetësor për të filluar në kërkim të mundësive për të përmirësuar financimin, organizimin dhe shpërndarjen e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, u shpreh ai.

Ai rikujtoi se kanë ndihmuar sektorin e shëndetësisë në Kosovë përmes projekteve të shumta si ndihmë humanitare gjatë disa viteve të fundit, duke përfshirë rinovimet në Klinikën Infektive dhe Klinikës Kirurgjike këtu në Prishtinë, renovimin e objekteve sanitare dhe donacione të shumta të pajisjeve të nevojshme mjekësore.

Seminari do të zgjasë pesë ditë dhe do të përmbyllet të premten.