Nga protesta e djeshme në Mushtisht | Foto: KALLXO.com

Ambasada Amerikane: Dhuna nuk Ofron Zgjidhje

Ambasada amerikane reagoi me anë të një deklarate, pas protestave të djeshme në Mushtisht e Gjakovë kundër ardhjes së ish-banorëve serbë në këto dy vende.

“Dhuna ndaj policisë, mediumeve, pjesëtarëve të qeverisë dhe qytetarëve të tjerë në asnjë rrethanë nuk është një shprehje e pranueshme e pikëpamjeve politike apo mënyrë për t’u marrë me ankesat nga e kaluara, pa marrë parasysh sa të dhimbshme janë ato,” thuhet në reagimin ambasadës.

Dje që nga orët e hershme të mëngjesit banorë të Mushtishtit bllokuan rrugët e fshatit me qëllimin për të pamundësuar ardhjen e paralajmëruar e ish-banorëve serbë për një festë fetare dhe vizitë të pronave.

Gjatë përpjekjeve të policisë për të larguar protestuesit, pati të lënduar nga të dy palët, ndërsa serbët hoqën dorë nga ardhja në fshat, edhe pse policia ua hapi rrugën dhe ua garantoi sigurinë.

Edhe në Gjakovë protestuesit u munduan të pengojnë ritet fetare të serbëve në kishën e këtij qyteti.

“Ambasada e SHBA-ve dënon pa asnjë rezervë përdorimin e dhunës për arritjen e qëllimeve politike në Kosovë, të cilën dhunë e kemi parë ditëve të fundit. Thërrasim të gjithë udhëheqësit e Kosovës që të bëjnë të njëjtën,” vijon deklarata.

Ambasada më tutje bën thirrje për protesta paqësore dhe përgëzon policinë.

“Demokracia ofron hapësirë për mospajtim dhe madje edhe për protestë. Por, Policia e Kosovës luajti një rol të rëndësishëm dje pasi në pakësimin e dhunës dhe mbajtjen e sundimit të ligjit, dhe ne i përgëzojmë ata për shërbimin e vazhdueshëm që i bëjnë të gjithë qytetarëve të Kosovës,” thuhet më tutje në deklaratë.

Aty pranohet se në Kosovë ka shumë probleme të pazgjidhura, por theksohet se nuk duhet kthyer mbrapsht përparimin e bërë në marrëdhëniet ndëretnike.

Në Kosovë mbesin të pazgjidhura çështje serioze, por zgjidhja e tyre nuk afrohet pas këtyre protestave të dhunshme. Shumë punë është bërë për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të krijuar një shtet bashkëkohor dhe demokratik. Sidoqoftë, dhuna e vazhdueshme politike rrezikon zhbërjen e pjesës së madhe të këtij përparimi,” përfundon deklarata.

KALLXO.com ndoqi protestën e djeshme në Mushtisht, gjatë tërë zhvillimit të saj.

http://kallxo.com/vizita-e-ish-banoreve-tensione-ne-mushtisht/