Pamje nga konferenca për media e partisë Alternativa në Gjakovë - Foto: Facebook

Alternativa Kritikon Qeverisjen e Gjinit në Gjakovë

Në një konferencë për media, Alternativa ka raportuar për siç thotë “shkeljet dhe veprimet që dëmtojnë qeverisjen e mirë” në Gjakovë.

Ish-drejtoresha e Arsimir, Diana Qarkaxhija tha se Komuna e drejtuar nga kryetari Ardian Gjini ka filluar të aplikojë “modelin e famshëm të Kryeministrit Haradinaj”, duke emëruar një numër të madh të këshilltarëve për drejtorët e drejtorive.

Ajo kritikoi drejtuesit e Komunës për mbylljen, sipas saj, të qendrës për  informimin e qytetarëve dhe për premtimin e rrejshëm për ndërtimin e stadiumit të qytetit.

“Gjatë kësaj kohe, buxhetit të komunës së Gjakovës i shtohen barrë pagat e këshilltarit për Kulturë, Arsimit, Urbanizmit, Financave e Bujqësisë, kurse në proces janë edhe emërime të tjera që do të ndodhin brenda pak ditësh”, tha Qarkaxhija.

“Kryetari Gjini me këtë akt tregon se nuk është i gatshëm të vazhdojë me projektet e UNDP-së, për ngritjen e transparencës. Për më shumë kryetari Gjini dërgoi në shtëpi 5 zyrtarë të kësaj qendre të cilët ishin të përgatitur, trajnuar për t’iu dhënë qytetarëve informatën”, theksoi zyrtarja e partisë Alternativa.

“Qytetarë e Komunës së Gjakovës kuptuan premtimin e rrejshëm të kryeministrit për ndërtimin e stadiumit të qytetit, i cili nuk u përfshi në buxhetin e planifikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, shtoio Qarkaxhija.

E njëjta akuzoi pushtetin e ri në Gjakovë edhe për neglizhencën e Inspektoratit të Komunës përballë tendencave për ndërtime pa leje.

Ndërsa, Komuna e Gjakovës me anë të një komunikate ka reaguar ndaj deklaratave të lëshuara sot në konferencë për media nga Alternativa.

“Asnjë këshilltar nuk është emëruar në zyrat e drejtorëve”, thekson Komuna, duke shtuar se funksion i tillë në Komunë nuk ekziston.

Sa u përket kontratave për të punësuarit në qendër informative, Komuna thotë se kjo kontratë ka përfunduar me 31 dhjetor 2017, ku shpenzimet për atë zyrë janë mbuluar nga UNDP dhe këta të fundit nuk e kanë pasur të paraparë vazhdimin e projektit.

Sa i përket stadiumit, Komuna thotë se nuk ka kurrfarë projekti për të.

“Ai nuk është projektuar asnjëherë. Administrata aktuale është zotuar se në afatin sa më të shpejtë të mundshëm do ta hartoj projektin dhe të njëjtin do t’ia paraqes Qeverisë së Kosovës për financim”, thuhet në reagim, në të cilin precizohet se Buxheti i Kosovës për vitin 2018 e edhe ai i Komunës së Gjakovës janë hartuar para se kryetari i Komunës ta marrë detyrën.

Komuna ka dhënë sqarime edhe lidhur me lejet e ndërtimit, duke theksuar se leja është dhënë në shtator të vitit 2017 dhe se tejkalimet e ndërtimeve kanë ndodhur para dhjetorit 2017.