Ali Ahmeti Kundër Federalizimit të Maqedonisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, është shprehur kundër idesë së disa subjekteve shqiptare atje që shteti maqedon të ndahet në dy entitete, si njësi federale me baza etnike.

Ahmeti, i cili është në koalicion qeveritar me partinë e kryeministrit Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE, tha për emisionin Jeta në Kosovë, se federalizimi i Maqedonisë është punë e vështirë për t’u bërë për shkak të specifikave që ka ky shtet dhe karakterit demografik brenda tij.

Intervista e plotë me Ali Ahmetin do të transmetohet të enjten në RTK në emisionin “Jeta në Kosovë”.

“Nuk mund të bëhet federalizmi ku nuk di ku t’i vendosësh kufijtë, ku nuk e di ku fillon një komunitet dhe ku fillon komuniteti tjetër”, tha Ahmeti

Sipas tij për të diskutuar rreth federalizmit të Maqedonisë, duhet njohur shumë mirë gjeografinë si dhe të gjitha vendbanimet e atij vendi.

Ahmeti, i cili viteve të fundit, e sidomos pas zhvillimeve të vitit të kaluar në Kumanovë, është vënë në qendër të kritikave të opinionit shqiptar në Maqedoni e më gjerë, vazhdon t’i mbetet besnik Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të nënshkruar në verë të vitit 2001, me të cilin iu dha fund konfliktit ndërmjet forcave policore e ushtarake maqedone dhe guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të cilët i komandonte ai vetë.

“Zgjidhja më e mirë (është) vet Marrëveshja e Ohrit është që këto dy komunitetet të jenë të barabarta.  Zgjidhje më të mirë politike dhe ligjore nuk ka për këtë vend”, ka deklaruar kreu i BDI-së në Maqedoni.

Ahmeti e sheh si problem federalizmin e Maqedonisë, pasi që sipas tij, një federatë apo konfederatë duhet pasur kufijtë e caktuar.

Këtë javë, në një intervistë për KALLXO.com, lideri opozitar shqiptar në Maqedoni, Ziadin Sela, i dha mbështetje idesë për federalizim.

Sipas Selës, federalizmi është zgjidhja më e mirë për Maqedoninë.

Shqiptarët e Maqedonisë Kërkojnë Shtet Federal