Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi - Foto: KALLXO.com

Aleksandër Lumezi Paralajmëron Padi ndaj Enver Hasanit

Në një njoftim të publikuar sot, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi paralajmëroi padi ndaj Enver Hasanit.

“Do ta autorizoj një avokat të ngrit padi për shpifje kundër Enver Hasanit dhe pres që padia e tillë të shqyrtohet nga gjykata sa më parë që është e mundur”, shkroi Lumezi në njoftimin për media.

Enver Hasani, dje pasi u dënua me një vit burg me kusht në lidhje me një kontratë për përkthimin e librave për nevojat e UP-së, deklaroi mes tjerash se Aleksandër Lumezi e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës- një kusht për të vazhduar karrierën në institucionet e drejtësisë.

Lumezi në njoftim, fjalët e Enver Hasanit për të i cilësoi “shpifje, gënjeshtra dhe pretendime tendencioze imagjinare”.

“Dëshiroj me këtë rast, të siguroj opinionin vendor dhe ndërkombëtar se kam kryer provimin e jurisprudencës në mënyrën më të rregullt të mundshme dhe për këtë posedoj gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, shkroi Lumezi, që i bashkoi reagimit të tij edhe certifikatën e këtij provimi.

Lumezi gjithashtu tha se ende janë gjallë profesorët para të cilëve e kaloi këtë provim, ndërsa ftoi mediet dhe EULEX-in që të hetojnë pretendimet e Hasanit.

“Kurse kërkoj nga Prokuroria e EULEX-it që të hetojë në mënyrë të pavarur dhe urgjente pohimet e Enver Hasanit dhe më pas në varësi të gjetjeve të veprojnë. Nëse nuk verifikohen pohimet e tilla, pres që Enver Hasani të hetohet për veprën penale të lajmërimit të rrejshëm”, thuhet në njoftimin e Lumezit.

Certifikata e provimit të jurisprudencës e publikuar nga Lumezi

Kryeprokurori më tutje tha se vazhdimisht është sulmuar nga Hasani që nga koha kur është zgjedhur në krye të prokurorisë së shtetit.

“Kjo deklaratë përbën presion ndaj punës që bëjmë dhe paraqet po ashtu tentim për të penguar sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe për të penguar progresin në luftimin e krimit që po bëhet nga Prokurori i Shtetit”, thuhet në reagimin e kryeprokurorit.

Por Lumezi paralajmëron se deklarata e Hasanit nuk do të ndikojë në punën e tij.

“I njëjti dhe të gjithë ata të sojit të tij, duhet ta dinë dhe ta kuptojnë se ky tentim i tyre nuk do të ketë asnjë sukses, por do ta intensifikojë maksimalisht luftën kundër krimit e me fokus të posaçëm në luftimin e veprave penale korruptive”, përfundoi reagimi i Lumezit.

Lumëzi tha se me dënimin e Enver Hasanit, gjykata theu mitin e paprekshmërisë së “të fortëve”.

“Ish Rektori i Universitetit të Prishtinës u shpall fajtor dhe u dënua me një vit burgim me kusht për një periudhë verifikimi prej dy vitesh. Edhe më i rëndësishëm është fakti se në këtë rast sikur u thye miti i krijuar se të “fortit” janë të paprekshëm nga drejtësia”, thuhet në reagim.

KALLXO.com shkroi dje për akuzat e Enver hasanit ndaj Aleksandër Lumezit, ndërsa edhe dje Lumezi i konsideroi shpifje këto akuza.

http://kallxo.com/lumezi-e-quan-shpifje-akuzen-e-enver-hasanit-per-falsifikim/

Edhe kur iu ngrit aktakuza për përkthimin e librave, Enver Hasani e kishte akuzuar për të Aleksandër Lumezin.