Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës- Foto: REL

Albulena Haxhiu: Rreth 50 Punëtorë të Kuvendit Rrezikojnë të Mbesin të Papunë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka treguar se rreth 50 punëtorë që mirëmbajnë Kuvendin rrezikojnë të mbetën të papunë për shkak të shkëputjes së kontratës.

Ajo ka treguar për një komunikim të saj me një punëtor të Kuvendit, i cili i ka treguar për rrezikun e largimit nga puna.

“Në atë letër të bardhë shkruante se si kompanisë që tani e ka tenderin, do t’i shkëputet kontrata dhe se bashkë me të do të largohen edhe 50 punëtorë nga Kuvendi. Atyre ju është thënë të qëndrojnë aty deri të mërkurën dhe pas asaj dite të mos duken andej. Këtë çështje kemi pasur ta ngrisim edhe dje në Kuvend, por rrethanat e djeshme dhe veprimet e Kadri Veselit, na pamundësuan”, ka shkruat tutje Haxhiu.

Ajo gjithashtu ka krahasuar pagat e zyrtarëve të qeverisë dhe deputetëve me ato të punëtorëve mirëmbajtës brenda Kuvendit të Kosovës të cilët paguhen shumë herë më pak.

“Paga mujore që marrin punëtorët e mirëmbajtjes në Kuvend është 160 euro! Aq sa është një mëditje për mbledhje të komisionit për deputetët! Në institucionin më të lartë në vend, shërbimi i mirëmbajtjes është privatizuar dhe para syve tanë (deputetëve) punëtorët trajtohen si skellevër për shkak të interesave mafioze të njerëzve brenda Kuvendit”, ka shkruar deputetja Haxhiu.

Ajo ka kërkuar angazhim të përbashkët me mediat që të adresojnë këtë çështje.

Për pagën e një punëtorje të mirëmbajtjes së Kuvendit u përfshinë në debat deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami dhe Kryeministri Ramush Haradinaj.