Mbledhja e Komisionit për Legjislacion | Foto: KALLXO.com

Albulena Haxhiu: Ndryshim-Plotësimet Fuqizojnë Vetëm Kryeprokurorin

Komisioni për Legjislacion dhe Mandate ftoi ministrin e Drejtësisë Abelard Tahirin për të sqaruar kërkesën për plotësim- ndryshimin e Projektligjit për Prokurorinë e Shtetit para se ky projektligj të kalohet në kuvend për miratim.

Anëtari i këtij komisioni Arben Gashi tha se propozuesi i këtij projektligji do të ishte mirë të ftohej pasa se të merret vendimi final.

“Mendoj ta thërrasim propozuesin dhe pastaj mbi bazën e debatit me propozuesin e projektligjit të marrim vendimin për t’i propozuar seancës”, tha Gashi.

Kryetarja e këtij komisioni Albulena Haxhiu propozoi që ky projektligj të mos përkrahet.

“Është një regres te paktën për ne si komision për drejtësinë. Tendenca për ta fuqizuar vetëm kryeprokurorin nuk është në rregull, sepse duhet të fuqizohen kompetencat edhe të të tjerëve, e jo të një personi, sepse mund të korruptohet”, tha Haxhiu.

Ajo tha se ky projektligj nuk duhet të përkrahet as në seancë.

“Unë besoj që komisioni për legjislacion nuk duhet të përkrah një projektligj të tillë. Duhet të propozohet që të mos përkrahet në seancë ky ligj”, tha Haxhiu.

Këtë propozim e përkrahu edhe anëtari i këtij komisioni Korab Sejdiu, i cili tha se pritjet janë jashtëzakonisht të mëdha nga kryeprokurori veçanërisht në luftimin e korrupsionit.

Sami Kurteshi tha se do të duhet të kishte një sistem i cili do të rregullonte procesin se kur një kryeprokuror mund të marrë përsipër një rast për të trajtuar.

“Përvoja në Kosovë ka dëshmuar diçka që nuk është e zakonshme. Kryeprokurori i ka dy role- njërin e ka të prokurorit dhe të menaxherit, mirëpo do të duhet që puna e tyre të bazohet me një ligj”, tha Kurteshi.

Në këtë komision u shqyrtua edhe kërkesa e Luljeta Aliut si qytetare e pavarur aktive, për ndryshimin dhe rregullimin e Ligjit për Familjen.

Mbështetjen për këtë ndryshim Aliu e mori nga të gjithë anëtarët e Komisionit për legjislacion.

Aliu tha se në praktikën ligjore kemi parregullsi dhe ka pika që duhet të rregullohen.

“Qëllimi i kësaj është të ndalohet dhuna ekonomike. Gratë janë të varura ekonomikisht prej burrave. Fatkeqësisht edhe ndarja e pronave 90% janë të regjistruara në emrat e burrave. Ndërsa për shkak se nuk kanë prona, grave ju ndahet vetëm 3% e kredive”, tha Aliu.

Ajo kërkoi nga deputetët dhe anëtarët e komisionit që të ketë një nismë legjislative  në lidhje me këtë.

Kryetarja e këtij komisioni Albulena Haxhiu tha gjendja me të cilën po përballen gratë është një gjendje e jashtëzakonshme, por me këtë gjendje shpeshherë ballafaqohen edhe burrat.

Në Komisionin për Legjislacion u shqyrtua edhe plani i punës së komisionit për vitin 2018 dhe Projektligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili nuk u miratua nga ana e komisionit.