Albin Kurti e Çedomir Jovanoviq - Foto: FAcebook/AlbinKurti

Albin Kurti takohet me politikanin serb që e njeh Kosovën e pavarur

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sot me politikanin serb, Çedomir Jovanoviq.

Sipas Kurtit, takimi me kryetarin e Partisë Demokratike Liberale në Serbi është zhvilluar në Prishtinë.

Në një postim në “Facebook”, Albin Kurti  ka thënë se me Çedomir Jovanoviqin kanë diskutuar për raportet midis Kosovës e Serbisë, zhvillimet politike dhe gjendjet socio-ekonomike në të dy vendet, si dhe për situatën në rajon dhe sfidat e integrimit europian.

“Biseduam edhe për të kaluarën, për lëvizjet studentore, luftërat në ish Jugosllavi dhe plagët e hapura në Ballkan”, ka shtuar Kurti, i cili ka kujtuar se Çedomir Jovanoviq ka luajtur rol vendimtar në dërgimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë, si dhe në arrestimin fillestar të Jovica Stanishiqit dhe Frenki Simatoviqit.

Çedomir Jovanoviq është ndër politikanët e rrallë në Beograd i cili haptazi e thotë se Kosova është e pavarur dhe se shteti serb duhet ta pranojë këtë fakt.