Publikimi i hulumtimit nga KDI - Foto: KALLXO.com

Albin Kurti Prin në Listën e ‘Politikanëve Model’ për të Rinjtë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është radhitur i pari në listën e politikanëve model për të rinjtë e Kosovës, thuhet në një hulumtim të opinionit të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Por, përqindja më e lartë është shënuar, megjithatë, te kategoria e të rinjve që nuk shohin asnjërin nga liderët kosovarë si politikan model

Hulumtimi ka nxjerrë se 25.2 % e të rinjve nuk kanë asnjë politikan model, derisa 81% e të rinjve që nuk kanë asnjë politikan model janë të rinjtë e komunitetit serb.

Sipas hulumtimit, pjesa tjetër e të rinjve kanë dhënë mbi 50 emra të politikanëve, të cilët i kanë model.

Listës së politikanit model i prin kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që shihet si model nga 13.7% e të rinjve. Pas Kurtit, politikani më popullor është kryeministri Ramush Haradinaj me 7.8%, i pasuar nga Vjosa Osmani me 7.4%, Shpend Ahmeti me 7.3%, Hashim Thaçi me 7% dhe Kadri Veseli me 5.8%.

Një hulumtim i bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tregon se 60% e të rinjve mendojnë se drejtimi i vendit është në kah të gabuar, ndërsa 30% mendojnë se është në kah të duhur.

Bashkautori i këtij hulumtimi, Eugen Cakolli, tha se kjo përqindje e të rinjve që mendojnë se gjërat po shkojnë në drejtim të gabuar ka rënë në krahasim me vitin e kaluar.

“Në vitin 2017 ka pasur përqindje më të lartë të të rinjve të cilët kanë vlerësuar se janë duke shkuar në drejtimin e gabuar, pra rreth 10% më shumë”, tha ai.

Ndërkaq, në raport shihet se papunësia ka qenë shqetësimi kryesor i të rinjve të të gjitha komuniteteve.

Te të rinjtë shqiptarë pas papunësisë, vjen liberalizimi i vizave, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit. Te të rinjtë serbë i dyta vjen lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe ekstremizmi fetar në Kosovë.

Ndërsa, te të rinjtë e komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë e shohin liberalizimin e vizave, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik si shqetësime kryesore pas papunësisë.

Duke iu referuar këtyre të dhënave Cakolli tha se shihet dallim ndërmjet asaj që diskutohet në media dhe rrjete sociale dhe asaj që paraqet shqetësim kryesor për të rinjtë.

“Temat mjaft të debatuara dhe të përmendura, qoftë ne media apo edhe rrjete sociale, siç janë Demarkacioni me Malin e Zi apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe del se nuk janë shqetësime kryesore të të rinjve pasi që paraqiten në përqindje mjaft të ulët në krahasim me shqetësimet e tjera”, u shpreh ai.

Autori tjetër i këtij hulumtimi, Ahmet Rushiti, tregoi se cilët të rinj kanë marrë më shumë pjesë në zgjedhje. Arsyet të cilat i kanë deklaruar zakonisht është se nuk kanë pasur subjekt të preferuar politik dhe se kanë pasur kohë. Por Rushiti foli edhe për faktorë të tjerë që, sipas hulumtimit, e kanë ndikuar pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare.

“Ajo që vlen të ceket është se në zgjedhje më shumë kanë marrë pjesë djem me 78% krahasuar me vajzat, 71%. Por është edhe një fakt tjetër interesant që të rinjtë me të ardhura më të mëdha familjare nga 450 deri në 600 euro kanë marrë më shumë pjesë në zgjedhje sesa të rinjtë, familjet e së cilëve gjenerojnë të ardhura prej 0 deri në 150 euro”, tha ai.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili tha se politika në Kosovë shpesh trajtohet si sport, por nuk duhet të trajtohet si e tillë.

“Politika nuk është si sporti dhe politikanët nuk janë si lojtarët e ekipit të preferuar, ata janë shërbyes të publikut. Ata kanë detyrë e përgjegjësi ndaj publikut dhe nuk duhet të mbrohen nga votuesit për çfarëdo që kanë bërë mirë apo keq”, tha ai duke iu referuar mbrojtjes së subjekteve politike nga simpatizantët e tyre në të gjitha rrethanat.

Ndërsa, shembull të ndryshëm sipas tij, janë duke treguar të rinjtë, të cilët “kanë filluar t’i trajtojnë politikanët jo si yje të sportit por si punëtorë”.

Gjithashtu, ai shtoi se duhet të investohet në gjeneratat e reja dhe në përmirësimin e kulturës politike.